U nxorrën të gjallë nga rrënojat e tarracës së shembur, humb jetën rrugës për spital 55-vjeçari

Në Qerret të Kavajës, dy personat që i zuri poshtë tarraca që u shemb, janë nxjerrë gjallë. Por, gjatë rrugës për në spital, njëri prej tyre ka humbur jetën.

Mësohet se viktima është kryefamiljari, Shaban Shehu 55 vjeç.

Sipas policisë viktima dhe  27-vjeçari po kryenin punime.

“Rreth orës 13:15, në fshatin Qerret, është shembur tarraca e banesës së shtetasit Sh. Sh., rreth 55 vjeç, dhe ka zënë poshtë shtetasin Sh. Sh. dhe shtetasin A. R., 27 vjeç (i punësuar nga shtetasi Sh. Sh.), të cilët po kryenin punime ndërtimi.

Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga rrënojat, të të 2 shtetasve. Shtetasi Sh. Sh. (pronari i banesës), për shkak të dëmtimeve, ka humbur jetën, ndërsa shtetasi A. R. është transportuar menjëherë në spital dhe po merr asistencë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e policisë.