Trajneri i Real Madrid pëson atak në zemër

Trajneri i Real Madrid për basketboll ka pësuar një atak në zemër mëngjesin e kësaj të diele.

Ai u shtrua në Spitalin Moraleja, teksa ndodhet në pritje të testeve të reja.

Trajneri 54-vjeçar madrilen drejtoi me normalitet absolut këtë të shtunë skuadrën e tij në fitoren ndaj Bitci Baskonia në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Endesa League. Ai e kaloi konferencën për shtyp pa problem dhe shkoi në shtëpi. Ishte herët në mëngjes kur filloi të ndihej keq dhe të kishte simptomat e para, shkruan albeu.com.

Pablo Laso ishte planifikuar të dilte nesër para mediave

Laso ishte planifikuar të dilte para mediave nesër në prag të ndeshjes së tretë kundër Baskonias, por ai nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë ose të drejtojë skuadrën në ndeshjen në Buesa Arena. Atij tashmë i është dashur të humbasë disa ndeshje këtë sezon pasi u testua pozitiv për COVID në mes të dhjetorit. Pra, ndihmësi i tij Chus Mateo ishte ai që drejtoi ekipin.

Bardhezinjtë tashmë do të marrin një goditje të rëndë, pasi mund të humbasin trajnerin për pjesën e mbetur të gjysmëfinales ndaj Baskonias dhe një finale hipotetike. Megjithatë, rezultatet dhe titujt janë tashmë në plan të dytë. Shëndeti i Laso është më i rëndësishëm se basketbolli. /albeu.com/