Mafia shqiptare arrin deri në Australi, vdekja e dyshimtë e bosit dhe presioni për drogë…

Mesa duket mafia shqiptare ka arritur deri në Australi. Daily Mail ka publikuar një artikull ku thotë se 43-vjeçari që vdiq më 9 korrik në Australi mund të ketë patur lidhje me mafian shqiptare.

43-vjeçari, Troy Kellett, vdiq teksa kërkonte për drogë në një kantier. Sipas medieve të huaja dyshohet se bosi Australian ka qenë në presion për të ndihmuar mafian shqiptare.

Kjo bëhet e ditur nga autoritetet australiane. Mësohet se Kellett ra nga një lartësi e konsiderueshme, ndërsa po hipte mbi disa kontejnerë.

Policia beson se vdekja e tij ishte aksidentale, por ka ngritur pyetjen se pse kishte hipur mbi kontejnerët. Lidhur me këto pretendime, dyshohet se ai ka qenë duke kërkuar për drogë të fshehur.

“Mafia shqiptare raportohet të ketë ngritur një treg të madh kokaine në Australi, përmasat e të cilave sfidojnë furnizimet e bandave lokale me lëndë narkotike, duke përfituar nga siguria kufitare australiane”, shkruan Daily Mail.

Autoritetet thonë se Kellett nuk ka qenë përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal, por policia po heton lidhjet e dyshimta, teksa miqtë dhe familjarët kanë vënë në dukje një sjellje të çuditshme të Kellett para se të vdiste./albeu.com/