Basha: 6 marsi është anomali, njësoj si zgjedhjet e 30 qershorit

Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën në Neës24, Basha e konsideroi një anomali procesin e 6 marsit, ku vendi shkon në zgjedhje të pjesshme vendore.

“Të gjithë e dimë fare mirë se 6 Marsi nuk është dizenjuar për të zgjidhur hallet e krijuara për shqiptarët në këto 6 Bashki, 4 prej të cilave, e vetmja arsye pse zhvillohet ky proces, është plaga e rëndë e kandidimit nga Rama, të personave me rekorde kriminale, për Bashkiakë.

Pra, që tregon që problemi i madh i bashkëjetesës, të bashkëpunimit me krimin nga ana e partisë në pushtet dhe politikës në tërësi, vazhdon të prodhojë probleme për qytetarët. Për Ilir Metën është një mundësi që t’i shtijë dru zjarrit të hallit të vet.”- u shpreh Basha.

Pjesë nga intervista:

Pyetja: Në një tjetër intervistë në emisioni “Kjo Javë” zoti Basha. Fillimisht doja t’iu pyesja si janë këto ditë për ju pas 8 janarit, të tjera zhvillime kanë ndodhur, si është ecuria?

Lulzim Basha: Si për të gjithë shqiptarët. Është një nga kohët më të vështira që nga ardhja e pluralizimit politik të vendi, sepse siç parashikuam pas 25 prillit, ndalimi i ndryshimit, sjell pasoja. Sjell pasoja për jetën e përditshme të shqiptarëve dhe padiskutim, sjell pasoja dhe politike. Por, Partia Demokratike është angazhuar në një proces shumë të ngjeshur të organizimit, të shpalosjes së vizionit të saj, jo vetëm brenda radhëve të saj, por edhe me gjithë shoqërinë dhe të krijimit të mekanizmave për ta nxjerr Shqipërinë nga stanjacioni ku e ka futur, arrestimi i rotacionit dhe ndryshimit më 25 prill.

Pyetja: Zoti Basha, ju jeni gati afër 6 Marsit, datë e vendosur nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale. Kishit pritshmëri për këto zgjedhje se do të ishin tani? Si i pritët?

Lulzim Basha: 6 Marsi është, në qoftë se mund ta them, një nënprodukt, një anomali dhe një nënprodukt e një anomalie tjetër, siç ishte 30 qershori 2019-të. Pra, është nënprodukt i një anomalie të madhe dhe në vetvete është një anomali.

Pyetja: Pse e quani kështu?

Lulzim Basha: Sepse e tillë është. Të gjithë e dimë fare mirë se 6 Marsi nuk është dizenjuar për të zgjidhur hallet e krijuara për shqiptarët në këto 6 Bashki, 4 prej të cilave, e vetmja arsye pse zhvillohet ky proces, është plaga e rëndë e kandidimit nga Rama, të personave me rekorde kriminale, për Bashkiakë. Pra, që tregon që problemi i madh i bashkëjetesës, të bashkëpunimit me krimin nga ana e partisë në pushtet dhe politikës në tërësi, vazhdon të prodhojë probleme për qytetarët. Për Ilir Metën është një mundësi që t’i shtijë dru zjarrit të hallit të vet. Duke u përpjekur kështu të forcojë atë Koalicion të “non gratave” për shqiptarët, të atyre që janë të padëshirueshëm për shqiptarët dhe në këtë mënyrë mendon se mund t’i japë frymëmarrje apo përpiqet t’i japi legjitimitet, diçkaje që është jo vetëm legjitime, por të padëshiruar, që është koalicioni i një grushti njerëzish të cilët duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është.

Pyetja: Pra, zoti Basha, i ashtuquajturi prej jush “Trekëndëshi i Bermudës” do të marrë pjesën realisht në zgjedhjet e 6 marsit. Është kjo një formë kurthi ndaj jush, le ta quajmë?

Lulzim Basha: Padiskutim “Trekëndëshi i Bermudës” është në veprim dhe halli i tyre nuk ka aspak të bëjë me demokracinë vendore apo me hallet e shqiptarëve. Sepse siç e thashë, problemet janë ato të cilat i kemi parashtruar nga ne dhe që u vërtetuan më 25 prill. Më thoni, pyetje retorike: Çfarë ka ndryshuar nga raporti i OSBE-OHDIR, që tregoi problemin e shit-blerjes së votës, përfshirjes së krimit të organizuar, abuzimi me burimet shtetërore, abuzimi me financat shtetërore? Asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi, janë bërë përpjekje të stërmëdha nga partia në pushtet, për të ndalur dorën e drejtësisë, për të mos dënuar personat përkatës. Nuk ka asnjë përparim me Komisioni për Hetimin e masakrës zgjedhore të 25 prillit të kërkuar edhe në Parlament nga Partia Demokratike. Nuk ka asnjë hap në atë që cilësohet si kusht për demokracinë në Shqipërinë, por edhe një kusht për hyrjen e vendit në Bashkimin Europian, që është Reforma Zgjedhore. Pra, qartësisht 6 Marsi ndodh në kushte edhe më të këqija sesa ato për të cilat Ilir Meta nuk pranoi që zgjedhjet të zhvilloheshin më 30 qershor duke i shtyrë ato. Atëherë çfarë e shtyn atë dhe dy brinjët e tjera të “Trekëndëshi i Bermudës”, të hidhen e ta përqafojnë 6 Marsin? Halli i përbashkët. Halli i përbashkët është të legjitimojnë partinë e non gratave në Shqipëri, ku bëjnë pjesë të tre, apo siç kemi thënë shkurt “Trekëndëshi i Bermudës”./BW


Shtuar 29.01.2022 17:59