Serbia flet me gjuhë kërcënuese, Vuçiç: Ukraina do humbasë gjithçka nëse njeh pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Ukraina do të humbë gjithçka që ka brenda ditës, nëse e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Pas kësaj, si mund të thotë ajo se i përmbahet ligjit ndërkombëtar?” tha Vuçiç më 8 gusht.

Ai shtoi se Ukraina është një shtet mike e Serbisë, dhe se nuk ka telashe në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vuçiçi i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, në Beograd, ku iu përgjigjën pyetjeve rreth një letre të deputetëve nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkuan masa më të rrepta ndaj Serbisë.

Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia dërguan një letër zyrtarët të lartë të BE-së dhe Uashingtonit, duke iu kërkuar ta ndryshonin qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tha të martën se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.

“Qëndrimi i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën e ambasadorit Tolkach.

Por, Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ukraina, si vend demokratik i cili e respekton lirinë e fjalës, nuk mund ta kufizojë shprehjen e mendimit të politikanëve të tjerë, të rrethit profesional apo publikut”, theksoi ai./ REL


Shtuar 8.08.2023 19:58