Kremlini dyshon se Kina do të ndryshojë qëndrimin ndaj konfliktit në Ukrainë

Kremlini thotë se ka ndjekur “bisedimet e rëndësishme” ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping, presidentit francez Emmanuel Macron dhe shefes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por dyshon se Kina, nën presionin e jashtëm, do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj konfliktit në Ukrainë.

Më herët, Kina ka propozuar një “plan të paqes”, por Ukraina dhe disa liderë perëndimorë mbeten skeptikë për marrëdhëniet e ngushta të Xi me presidentin rus Vladimir Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve të premten se Kremlini ka “përcjellë” bisedimet midis BE-së dhe Kinës, por theksoi se Rusia ka “marrëdhëniet e veta të vlefshme” me Pekinin.

“Kina është një fuqi shumë serioze, shumë e madhe me pozicionin e saj sovran. Ky nuk është ai lloj i vendit që ndryshon shpejt pozicionet e tij nën ndikimin e jashtëm”, tha Peskov duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a është Rusia e shqetësuar se Evropa mund ta bindë Xi-n lidhur me Ukrainën.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas bisedës, Xi shprehu gatishmërinë e tij për të folur drejtpërdrejt me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa Macron tha se i bëri thirrje Pekinit që “ta bëjë Rusinë të kuptojë”.

Pushtimi rus i Ukrainës është në fokusin e vizitës së Macron në Kinë. Kjo është vizita e parë e tij në Kinë, që nga viti 2019. Presidentja e Komisionit Evropian, e cili bashkë me presidentin francez Macron gjenden për vizitë në Pekin, mirëpriti gatishmërinë e presidentit kinez Xi Jinping për të biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky./rel.


Shtuar 7.04.2023 15:48