Ibrahimi: Njësoj si Trump, edhe Biden po e ndjek të njëjtën linjë me Kosovën

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilir Ibrahimi vlerëson se Kosova u tregua e paditur dhe dashakeqe pasi sipas tij, nuk diti ta shfrytëzonte situatën kur administrata Trump kishte qëllim të qartë për ta zgjidhur çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Ibrahimi kujton fushatën kundër të dërguarit të atëhershëm të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, të cilën ai e quan edhe fushatë kundër interesave të vendit.

“E sot kur në Shtëpinë e Bardhë e kemi presidentin Biden, njërin nga përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës shtet, mu nga kjo administratë, Kosova përjashtohet nga forume ndërkombëtare. PSE?”, pyet Ibrahimi, i cili identifikon një problem.

“Sikurse Trump e Grenell, edhe Biden e Blinken po e ndjekin linjën e njejtë me Kosovën. Problemi duket se është këtu. “Nëse mashtron një herë, turpi qoftë me ty. Nëse më mashtron dy herë, turpi qoftë me mua”, thotë një fjalë”, shkruan Ibrahimi.

Postimi i plotë:

Administrata Trump, kishte një qëllim të qartë për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi. Këtë qartësim e bëri përmes dy letrave dërguar presidentëve në këto dy vende dhe e vulosi me emërimin e një emisari të posaçëm.

Klasa politike kosovare jo vetëm se nuk diti ta shfrytëzoj këtë momentum por ju kundërvu jo vetëm idesë por edhe ideatorëve.

Fushata denigruese që e pamë ndaj ambasadorit Grenell, e cila vazhdon fatkeqsisht edhe sot, është rezultat i një paditurie dhe dashakeqsie. E kam thënë më herët, e përsëris edhe sot se fushata të tilla janë kundër interesave të vendit.

“Kur të vjen Biden, do të rregullohen marrëdhëniet”,thuhej ndërkohë që turma vazhdonte të duarktrokas symbyllazi.

E sot kur në Shtëpinë e Bardhë e kemi presidentin Biden, njërin nga përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës shtet, mu nga kjo administratë, Kosova përjashtohet nga forume ndërkombëtare. PSE?

Në vend se të sulmohen zyrtarët amerikanë, duhet ta pyesim veten pse kemi ardhur në këtë derexhe.

Sikurse Trump e Grenell, edhe Biden e Blinken po e ndjekin linjën e njejtë me Kosovën. Problemi duket se është këtu.

“Nëse mashtron një herë, turpi qoftë me ty. Nëse më mashtron dy herë, turpi qoftë me mua”, thotë një fjalë./Express


Shtuar 8.11.2021 12:34