Ka humbur dy djem, nëna: Kanë vdekur në një orë, në një datë e në të njëjtën moshë

E ftuar në emisionin “Historia ime”, ka qenë Hana Gjella 75 vjeç, nga Tirana. Kur ishte 16 vjeçe, u martua me një djalë që kishte njohur dhe dashuruar në shkollë, me të cilin solli në jetë 3 fëmijë dhe janë bashkë ende sot që ai është 81 vjeç.

Pa mbushur ende të shtatëmbëdhjetat u bë nënë për herë të parë, solli në jetë një djalë shtatanik, që peshonte 1 kg e 200 gr. Më vonë patën edhe 4 fëmijë të tjerë, 2 djem dhe tre vajza.

Hana ka punuar gjithë jetën në Bibliotekën e Universitetit të Tiranës, derisa doli në pension. Për rreth 12 vite ka qenë korriere e librave që vinin nga jashtë, kushtonin shumë dhe duhej një person i besuar dhe i autorizuar që t’i shpërndante, e cila ishte Hana. Më vonë ka qenë sistemuese dhe mirëmbajtëse në bibliotekë.

Bashkëshorti i Hanës ka punuar si saldator dhe prej punës i është dëmtuar shikimi, dhe prej thuajse 15 vitesh është i verbër. Të dy djemtë e Hanës kanë ndërruar jetë.

I pari, i madhi, vdiq kur ishte 40 vjeç. Pësoi trombozë, nuk i punonin më duart dhe gjendja u përkeqësua derisa humbi jetën. Hana dhe familja e saj jetonin në një dhomë që ju kishte lënë vjehrri dhe vjehrra e saj, por me shpresën për të shëruar djalin, e shitën dhomën, dhe e çuan djalin në Francë, Greqi dhe Itali, por ai nuk kishte shpëtim dhe nuk ia doli dot.

Hana: Iku pa u ndjerë, nuk thoshte dot as që po ikën. I thashë që këtë divanin do të ta jap ty kur të shkosh tek shtëpia dhe më tha unë i kam më të mira. I thashë po mirë ta fal nëna këtë se ti ke fjetur këtu dhe duke më parë kështu, shoh që ai nuk lëvizi më.
Para dy vitesh, dhimbja e Hanës u dyfishua. Ndërroi jetë dhe djali i dytë i Hanës, në moshën 39-vjeçare, pasi kishte probleme me cerozën në mëlçi. Nëna tregon se humbja e djalit të dytë ndodhi në të njëjtën orë që vdiq dhe djali i parë, në të njëjtën datë dhe në të njëjtën moshë.

Të dy djemtë ishin të martuar dhe lanë pas nga një djalë. Pra, Hana ka dy nipër. Vajza e vetme e Hanës, tashmë është 50 vjeçe, e divorcuar. Ka një gocë e cila është e martuar në Itali.

Hana vetë gjithashtu ka pësuar një infarkt nga problemet dhe humbjet e djemve. Tani jetojnë të tre, Hana, vajza dhe bashkëshorti i Hanës.

Pasi e shitën shtëpinë, blenë 10 milion Lekë një tip bodrumi, poshtë një pallati tek bulevardi Zogu i Parë. Por, problemet nuk do të mbeteshin me kaq për këtë familje. Edhe vajza e Hanës pati probleme shëndetësore të mëdha.

Edhe ajo pësoi trombozë në zemër. Iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente, ku vendosi një valvul, falë të cilës shpëtoi të mbijetonte, dhe pse sot ende ka statusin e invalides prej këtij problemi.

Shtëpinë përdhese që ka qenë bodrum i pallatit, Hana e ka shndërruar në një shtëpi të vogël, ku ka mundur të sajojë një dhomë dhe një kuzhinë. Por dritaren e vetme që dhoma kishte ua kanë izoluar.

Apartamenti sipër Hanës është marrë me qira nga një notere e cila i ka izoluar me pa të drejtë dritaren e vetme që shtëpia e Hanës ka.

Në kohën kur po ndërtohej bulevardi Zogu i parë, deri para një muaji, shtëpia e Hanës u përjashtua nga sistemi. Hana pretendon se ka dokumentet dhe filmimet e nevojshme për padrejtësinë që i është bërë, por nuk ka kushte ekonomike për ta ndjekur ligjërisht këtë çështje.


Shtuar 2.07.2021 14:23