Kremlini: Rusia do t’i kthehet marrëveshjes së grurit kur të plotësohen kushtet në interes të saj

Kremlini përsëriti sot qëndrimin e tij për marrëveshjen e drithit të Detit të Zi, duke thënë se Moska është e gatshme t’i kthehet marrëveshjes që lejon eksportimin e grurit ukrainas nga deti vetëm nëse plotësohen kushtet në interes të saj.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gjithashtu gazetarëve se Presidenti Vladimir Putin zhvilloi një telefonatë me Presidentin turk Tajip Erdogan këtë mëngjes.

Rusia u tërhoq nga marrëveshja për drithërat më 17 korrik.

Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja ka pamundësuar që Ukraina – një prodhuese globale e drithërave – të eksportojë në mënyrë të sigurt prodhimet bujqësore nga portet në Detin e Zi teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon.

Vitin e kaluar, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshjen për eksportin e drithërave.

Që nga tërheqja e Rusisë nga marrëveshja, Ukraina po eksporton produktet e saj përmes rrugëve tokësore për në Bashkimin Evropian, por edhe përmes rrugëve alternative përmes lumit Danub.

 


Shtuar 2.08.2023 12:09