Nuk harroi zakonin, kapet në Kavajë “skifteri” 33 vjeçar

Policia e Kavajës ka finalizuar operacionin policor“Shëtitësi” duke arrestuar një 33-vjeçar që kryente vjedhje banesash.

Zbardhen dhe dokumentohen edhe 5 raste të tjera të vjedhjeve në banesa, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

A. Ç., 33 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” u kap në flagrancë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë operacionit të zhvilluar nga shërbimet e Policisë, duke tentuar të vjedhë në lokalin në pronësi të shtetasit T. V.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas është autor i vjedhjeve në disa banesa, konkretisht:

– Më datë 11.05.2020 ka vjedhur disa sende elektroshtëpiake në banesën e shtetasit Sh. M.

– Më datë 15.05.2020 ka vjedhur me thyerje banesën e shtetasit H. Gj., ku ka marrë një televizor.

-Më datë 30.05.2020 ka vjedhur me thyerje banesën e shtetasit D. H., ku ka marrë një televizor.

-Më datë 10.04.2020 ka vjedhur një televizor në banesën e shtetasit Sh. D.

-Më datë 12.04.2020 ka vjedhur dy televizorë në banesën e shtetasit D. D.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sendet që dyshohet se ky shtetas i përdorte për të kryer vjedhjet.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në rrethin e Kavajës, në të cilat mund të jetë i implikuar ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.


Shtuar 23.06.2020 12:26