Përmbytjet në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: Kush janë 3 qarqet më problematike

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e dëmeve pas reshjeve të 24 orëve të fundit që kanë prekur vendin, të cilat kanë krijuar një situatë të rënduar në 3 qarqe.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Mbrojtjes Civile, në bashkinë e Tropojës reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore, banesa dhe toka bujqësore.

Në segmente të caktuara ka shembje dhe gërryerje, ndërsa rezervuarët janë në kuotat maksimale.

Fshati Lumi, njësia administrative Margegaj janë të bllokuar nga prurjet e shumta 7 familje.

Janë të dëmtuara disa ura, ndërsa në njësinë administrative Bujan rrezikohet ura në Disdar si pasojë e prurjeve të shumta të lumit Bushtricë.

Dëme ka edhe në bagëti.

Ka ndërprerje të energjisë në njësitë administrative Llugaj, Bytyç Margegaj.

Në bashkinë Vau i Dejës në qarkun e Shkodrës ka prezencë të ujit në disa pjesë të bashkisë si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në lagjet: Lisen, Mllojë dhe Dejë, njësia administrative Vau-Dejës, bashkia Vau-Dejës.

Po punohet për normalizimin e kalueshmërisë së mjeteve në aksin e bllokuar Tamarë- Vukël dhe Vermosh njësia administrative Kelmend, në Malësi të Madhe si dhe në aksin rrugor Qafë mali- Fierzë, si dhe rrugët rurale të njësive administrative Fierzë, Blerim, dhe Iballë në Fushë Arrës. Po punohet edhe për kthimin e energjisë në njësitë Iballë dhe Fierzë.

Në bashkinë Elbasan situata është më e normalizuar pas ndërprerjes së reshjeve, por po punohet nga grupet e punës të: strukturave përgjegjëse, kontraktuesit e mirëmbajtjes së rrugëve dhe OSHEE për normalizimin e situatës.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje të gjithë banorëve që kanë probleme të kontaktojnë me autoritetet. Forcat e Armatosura janë përherë në gatishmëri për të dhënë ndihmën e tyre, në çdo rast emergjence./albeu.com/