Një studiues thotë se UFO-ja e parë u rrëzua në Itali në vitin 1933 dhe ai ka prova

Një oficer i lartë i inteligjencës amerikane pretendon se forcat amerikane të Luftës së Dytë Botërore kanë marrë një UFO që u rrëzua në Itali në vitin 1933 dhe studiuesit italianë thonë se kanë dokumente për ta vërtetuar këtë.

Ish-punonjësi më i lartë i Zyrës Kombëtare të Zbulimit, David Grusch tronditi botën muajin e kaluar kur zbuloi se kishte dëshmuar para Kongresit dhe mbikëqyrësve të qeverisë, rreth një programi të supozuar sekret amerikan që ka marrë disa disqe fluturuese “jo-njerëzore”.

Grusch pretendon se një nga këto anije kozmike aliene u rrëzua në Italinë Veriore në vitin 1933 dhe u sekretua nga diktatori fashist Benito Mussolini, përpara se të kapej nga forcat amerikane në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe të dërgohej në SHBA.

Në një intervistë me DailyMail.com që përkon me Ditën Botërore të UFO-ve të dielën, studiuesi italian Roberto Pinotti ndau detaje të jashtëzakonshme të përplasjes së supozuar të diskut që ndodhi plot 14 vjet përpara incidentit të famshëm në Roswell, New Mexico.

Pinotti, president i Qendrës Kombëtare Ufologjike, mori dokumente që ai pretendon se janë provat e rrëzimit të 13 qershorit 1933.

Hulumtimi i Pinottit është pritur me skepticizëm në Itali që kur ai e publikoi për herë të parë në vitin 2000 dhe është ende pak i njohur jashtë kufijve të saj.

“Unë dhe kolegu im Alfredo Lissoni filluam të hetojmë historinë e rrëzimit të UFO-ve të vitit 1933 në Lombardi në vitin 1996, kur morëm disa dokumente origjinale sekrete për rastin”, tha ai për DailyMail.com.

Dokumentet iu dërguan në mënyrë misterioze Pinotti-t nga një burim anonim, i cili pretendonte se i kishte trashëguar nga një anëtar i familjes që punonte në programin e supozuar të Musolinit për UFO-t.

Ato përfshijnë dy telegrame të qershorit 1933 në italisht, njëri që kërkonte “heshtje absolute” mbi një “ulje të supozuar në tokën kombëtare të avionëve të panjohur”.

Një tjetër, i datës 13 qershor, kërcënon me “arrest të menjëhershëm” dhe “dënime maksimale” për çdo gazetar që raporton lajme për një “avion me natyrë dhe origjinë të panjohur”./Albeu.com


Shtuar 7.07.2023 15:29

Tags: