Parandalimi i pastrimit të parave, Banka e Shqipërisë gjobiti 15 Zyra të Këmbimit Valutor vitin e kaluar

Banka e Shqipërisë inspektoi vitin e kaluar 82 subjekte financiare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Sipas informacionit të bankës qendrore, gjatë vitit 2022 u inspektuan pesë banka, pesë subjekte financiare jobanka, dy shoqëri kursim-krediti (SHKK) dhe 70 Zyra të Këmbimit Valutor (ZKV), prej të cilave në 27 ZKV është realizuar procesi i ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve si rrjedhojë e mangësive të konstatuara në ekzaminimin e mëparshëm.

Llojet e problematikave të identifikuara në banka lidhen kryesisht me vigjilencën e zgjeruar dhe sistemin e centralizuar, në disa tipologji të ndryshme.

Për shembull, banka ka kryer identifikimin e pronarit fundor përfitues nëpërmjet dokumentacionit por nuk e ka reflektuar në sistemin qendror të bankës pronarin fundor përfitues të subjektit.

Në rastet kur fondet kanë qenë të depozituara apo transferohen nga një bankë tjetër, banka konsideron si dokument justifikues të burimit të fondeve faktin që këto fonde klientët i kanë pasur në bankat e nivelit të dytë dhe nuk administron dokumentacion justifikues për origjinën e fondeve.

Janë evidentuar gjithashtu transaksione në vlerë të lartë, ku qëllimi ekonomik nuk del i qartë, si edhe përdorimi i llogarisë personale për qëllime të biznesit dhe transaksione në valutë të deklaruara nga biznesi që konvertohen në arkë. Në lidhje me çështjet e administrimit të rrezikut të financimit të terrorizmit dhe zbatimit të sanksioneve nuk janë konstatuar problematika në banka.

Për institucionet financiare jobanka (IFJB) dhe shoqëritë e kursim-kreditit (SHKK), nga inspektimi i tyre janë evidentuar mangësi në kuadrin e brendshëm rregullator për PPP/FT; strukturën/stafin përgjegjës; zbatimin e vigjilencës së duhur dhe zgjeruar; sistemin e centralizuar; kontrollin e brendshëm; proceset e administrimit të rrezikut TF dhe TFS; trajnimet; etj.

Për mangësitë e evidentuara janë lënë rekomandimet përkatëse me qëllim adresimin në kohë të tyre.

Në disa raste, në procedurat e brnedshme nuk është përcaktuar rrjedha e punës e raportimit të rasteve të dyshimta, që mund të evidentohen nga stafi/agjentët, drejt personit përgjegjës, i cili pas analizimit, mund t’i raportojë pranë Autoritetit Përgjegjës (DPPPP).

Në kuadër të masave kundër financimit të terrorizmit, nuk janë përcaktuar saktësisht hapat që duhet të ndiqen për ngrirjen e përkohshme të veprimeve financiare si për shembull të transaksioneve aktuale apo të mbetura në tentativë, të fondeve apo pasurive të tjera.

Janë konstatuar gjithashtu mangësi në procesin e kryerjes së vigjilencës së duhur, si mungesë analize mbi arsyen e mbylljes së kredive para afatit shoqëruar me dokumentacion shoqërues mbi burimin e fondeve, mungesë dokumentacioni justifikues mbi burimin e të ardhurave në momentin e çeljes së depozitës apo pranimi i dokumentit të identifikimit përtej afateve të vlefshmërisë si dhe raste me dokument identifikimi jo të saktë.

Llojet e problematikave të identifikuara në zyrat e këmbimit valutor (ZKV) kanë konsistuar kryesisht në mungesë e një rregulloreje të brendshme në funksion të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PPP/PFT), në rastet kur aktiviteti ushtrohet nga jo më pak se tre persona; mosrespektim i procedurave identifikuese të klientëve në drejtim të identifikimit të klientëve dhe verifikimit të identitetit të tyre si dhe mangësi në ruajtjen e dokumentacionit mbështetës të veprimeve valutore; mosrespektim i kërkesave për marrjen e masave parandaluese për krijimin e një sistemi të centralizuar përgjegjës për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave dhe elementeve për identifikimin e parregullsive; njohuri jo të mjaftueshme dhe mungesë zbatimi të detyrimeve ligjore; mungesë evidence për rastet e dyshimit për ngjashmëri emrash me listat e shpallura dhe listat e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSKB) apo evidencave të kryera për verifikimet me listat e shpallura.

Për problematikat e evidentuara për ZKV-të janë marrë edhe disa masa administrative, konkretisht janë vendosur gjoba për 15 ZKV dhe tërheqje vëmendjeje për 8 ZKV.

Gjithashtu, në kontekstin e analizave nga jashtë, Banka e Shqipërisë ka kryer vlerësimin e ekspozimit të këtij rreziku mbi bazën e raportimeve të kryera në fillim të vitit 2023, bazuar në të dhënat e disponueshme për vitin 2022.

Ky vlerësim, konsiston në integrimin e vlerësimit për sasinë e rrezikut dhe cilësinë e administrimit të rrezikut në kuadër të kategorizimit të institucioneve dhe orinetimit të fokusit mbikëqyrës në funksion të parimeve të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik.

Vlerësimi u krye për 671 subjekte financiare të licencuara, konkretisht 11 banka, 38 IFJB, 10 SHKK dhe 612 ZKV./monitor