A ushqehet kanceri nga sheqeri? Përgjigjet toksikologia

Në rrjete sociale ka qarkulluar një video në të cilën thuhej se qelizat kancerogjene ushqehen nga sheqeri, por a është e vërtetë kjo?

Tokslikologia Esmeralda Thoma e ftuar këtë të mërkurë në “Good Morning Albanians”, na tregoi se si funksionon në të vërtetë sheqeri.

Ajo tha se nuk duhet të harrojmë se sheqeri që ne marrim nëpërmjet dietave ushqimore, është i domosdoshëm për ne, por ai ushqen të gjitha qelizat tona, si qelizat normale dhe ato tumoriale, të cilat nën ndikimin e sheqerit kanë tendencë më të madhe për tu zhvilluar.

“Sheqeri është një lëndë që ushqen çdo qelizë të organizmit tonë në mënyrë që të zhvillohet, të rritet dhe të krijojë të gjitha proceset e veta. Ky është një proces i pashmangshëm normal fiziologjik që ndodh e të gjithë njerëzit.

Qelizat tumorale, gjatë zhvillimit të tyre kanë tendencën që të ndahen dhe zhvillohen me një ritëm më të shpejtë se qelizat normale. Kjo është arsyeja që rritet tumori. Por pavarësisht faktit nëse është qelizë normale apo tumorale, ajo ka nevojë për sheqer.

Qeliza tumorale pa diskutim që nuk zhvillohet pa praninë e sheqerit. Megjithatë duhet të kuptojmë se edhe sheqeri që ne marrim nëpërmjet dietave ushqimore është i domosdoshëm për ne”,-tha toksikologi


Shtuar 5.07.2023 08:42