Hysajt i duhen vetëm 3 minuta për të shënuar gol

Elseid Hysaj e ka nisur sezonin me këmbën e mbarë. Mbrojtësi shqiptar, jo vetëm ka qenë titullar në radhët e Lazios në ndeshjen e parë miqësore të këtij edicioni, por ka qenë pikërisht ai që ka shënuar golin e parë për bardhekaltrit.

Si zakonisht, Lazio sfidonte një seleksion të Auronzo, lokalitetit ku zhvillon fazën përgatitore çdo vit dhe Hysaj ishte mes titullarëve.

Mbrojtësi rreshtohej në të majtën dhe në një ndeshje ndaj një kundërshtari modest, sigurisht që kishte luksin të dilte para.

Ai e bëri këtë që në startin e ndeshjes dhe në minutën e tretë, përfitoi nga një përplasje e topit për të shënuar me një goditje fluturimthi, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij.

Sfida përfundoi me shifrat 16-0 dhe ishte një mundësi e mirë për trajnerin Sarri që të shihte gjendjen e lojtarëve pas pushimeve, pasi ekipi ka pak ditë që ta rifilluar stërvitjet për sezonin e ri.


Shtuar 16.07.2023 21:39