Përgjimet nga SPAK, KLGJ vendos sot pezullimin e Mimoza Magjekës

Këshilli i Lartë Gjyqësor do të mblidhet sot për të shqyrtuar projekt vendimin për pezullimin nga detyra të gjyqtares së Korçës Mimoza Margjeka, arrestuar dy ditë më parë.

Gjyqtarja është në arrest shtëpie pas akuzave për korrupsion. Nga përgjimet e SPAK doli që gjyqtarja bashkë me bashkëshortin e saj dhe një avokat i kanë marrë një shumë prej 6 mijë eurosh një të arrestuari me qëllim për ta liruar nga burgu.

Dy ditë më parë, gjyqtarja me tone të ashpra u shpreh se shoqërimi i sajë është në kundërshtim me ligjin.

“Më çuar te Gjykata e Shkallës së parë! S’dini ku po me çoni! Më çuan në bodrum, kisha frikë. Shoqërimi është bërë në mënyrë të paligjshme. Është e turpshme. Si ma bëjnë mua këtë gjë, po populli. Po jo s’bën shteti kështu. Është antiligjore”, tha gjyqtarja, e cila është përfshirë në debat edhe me oficerët e policisë që e shoqëronin.

Rendi i ditës së KLGJ

Shqyrtimi i projektrregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Disiplinor dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, në një procedurë disiplinore”, i përgatitur nga Komisioni Disiplinor.
Shqyrtimi i projektvendimit “Për fillimin e procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional viti kalendarik 2019, për gjyqtarët që kanë plotësuar kriteret ligjore të kandidimit për ngritje në detyrë” i përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale.
Shqyrtimi i projektvendimit “Për pezullimin nga detyra të magjistrates Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, caktuar në skemën e delegimit në Gjykatën e Apelit Korçë”, i përgatitur nga Komisioni Disiplinor.


Shtuar 14.09.2020 10:57