Pse jo pak vende nuk po e mbështetin Perëndimin në Luftën e Ukrainës?

Nga Max Hastings “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një miku im ushtarak vizitoi kohët e fundit një shtet afrikan, të qeverisur relativisht me një lloj ndershmërie. Ai e pyeti presidentin e saj pse nuk e mbështet Perëndimin në Luftën e Ukrainë. Kryetari i shtetit u përgjigj: “Unë nuk mund ta bëj dot dallimin se çfarë është e ndryshme midis asaj që po bën Rusia atje dhe asaj që bëri dikur Perëndimi në Irak”.

Ne mund të sugjerojmë disa përgjigje për këtë, duke filluar me pohimin e qëllimeve të mira të SHBA-së në Irak – dëshira për t’i bërë të lirë irakianët, në vend se t’i skllavëronte ata siç po synon të bëjë Rusia me Ukrainën. Megjithatë, në sytë e pjesës më të madhe të botës, argumente të tilla nuk janë bindëse.

Është e vërtetë që 141 shtete mbështetën muajin e kaluar votimin në OKB të një rezolute të re që e dënonte agresionin rus në Ukrainë. Por 85 për qind e popullsisë së botës nuk i është bashkuar sanksioneve të vendosura nga Perëndimi ndaj Moskës. Indianët, afrikano-jugorët, meksikanët dhe shumë të tjerë – për të mos përmendur aleatët kinezë, iranianë dhe koreano-veriorë të Putinit – mund të mos i duan rusët, por i shohin ata moralisht të padallueshëm nga amerikanët.

Që të dy cilësohen prej tyre si agresivë, si padronë, mizorë dhe të pamëshirshëm në ndjekje të interesave të tyre. Lufta e Vietnamit nuk harrohet asnjëherë. Sapo jemi kthyer familjarisht nga pushimet në Malajzi. Në vilën tonë i fiknim vazhdimisht dritat në dhomat ku nuk qëndronim, siç bëjmë në shtëpinë tonë në Britani që kur u dyfishuan faturat e energjisë elektrike.

Por stafi i resortit na tha se nuk ishte e nevoja ta bënim këtë. E pyetëm menaxherin: A nuk janë rritur kostot e tij të energjisë? Ai u përgjigj se në fakt kanë rënë. “Malajzia nuk i është bashkuar sanksioneve, dhe ne po e blejmë naftën dhe gazin më lirë se vitin e kaluar”.

Diplomati nga Singapori, Kishore Mahbubani, ish-drejtues i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thotë se shumica e njerëzve në planet duan të banojnë në një botë shumë-polare, dhe jo në një botë të dominuar nga SHBA, Rusia apo Kina. Kjo mendon ai është arsyeja pse shumë vende nuk po zbatojnë sanksionet e vendosura mbi Rusinë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës. “Një disfatë e Rusisë nuk do të ishte në interes të Jugut Global. Shumë vende në jug, të cilët ruajnë ende kujtimet e Perëndimit dikur dominues, e dinë se Perëndimi do të bëhet sërish arrogant dhe i padurueshëm nëse e mposht plotësisht Rusinë”- thekson ai.

Për ne perëndimorët kjo është zhgënjyese. Sepse ne e dimë që jemi djemtë e mirë. Që në Ukrainë po mbështesim një shtet që ka rënë viktimë e një agresioni të paprovokuar. Ndërkohë, udhëheqësit tanë deklarojnë vazhdimisht se është në interesat jetike të demokracisë dhe të popujve liridashës kudo që rusët të kthehen atje nga kanë ardhur.

Megjithatë, mendjemadhësia morale është një ves i keq i kulturës sonë. Vendet perëndimore mund të ishin më të afta në drejtimin e politikës së jashtme, nëse do të përpiqeshin pak më shumë që të kuptonim pse jo pak vende nuk po e mbështesin fushatën tonë për lirinë e Ukrainës.

Gjatë gjithë historisë, Fuqitë e Mëdha janë acaruar ose turpëruar nga zbulimi se jo të gjithë ishin në anën e tyre. Në luftërat e Napoleonit që dominuan 15 vitet e para të shekullit XIX-të, Prusia, Austria, Rusia dhe shtetet gjermane e ndryshuan në mënyrë të përsëritur besnikërinë e tyre.

Në vitet 1860, administrata e Lincoln u tërbua nga entuziazmi mbi Konfederatën që vinte nga Britania, e ndikuar shumë nga interesat e industrisë së pambukut gjatë Luftës Civile Amerikane. Shumica e Evropës i mbështeti Boerët e Afrikës së Jugut gjatë luftës së tyre të viteve 1899-1902 me britanikët.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Holanda dhe kombet nordike mbetën neutrale, duke pasur megjithatë një simpati të hapur ndaj Gjermanisë. Në Luftën e Dytë Botërore, trupat franceze të regjimit të Vichy që bashkëpunuan me gjermanët i rezistuan fuqishëm Britanisë në Siri, Madagaskar dhe Afrikën e Veriut.

Winston Churchill u shpreh i hidhëruar se ai do të dëshironte që ushtria franceze të kishte shfaqur aq entuziazëm në luftë kundër Hitlerit në vitin 1940, sa kur vrau trupat britanike një vit më vonë. Një sondazh i kohëve të fundit i YouGov tregon se ndërsa 65 për qind e të anketuarve në demokracitë evropiane e shohin Rusinë si një kundërshtar, 51 për qind e indianëve e shohin kombin e Putinit si një aleat (29 për qind e shohin si një “partner të domosdoshëm” dhe vetëm 5 për qind si kundërshtar).

Vitin e kaluar India i rriti me 400 për qind importet e saj nga Rusia. Indianët e kujtojnë ende se si sanksionet e SHBA-së kundër Irakut dhe Iranit rritën kostot e energjisë në nën-kontinent. Vjeshtën e vitit kaluar, Instituti Bennett për Politikat Publike në Universitetin e Kembrixhit publikoi një studim të qëndrimeve globale ndaj autokracive të mëdha.

Që nga pushtimi i Ukrainës, opinioni në demokracitë liberale, të banuara nga 1.2 miliardë njerëz, është distancuar shumë nga Kina dhe Rusia. 75 për qind e qytetarëve në këto vende kanë një pikëpamje negative për Rusinë dhe 87 për qind për Kinën. Perceptimet perëndimore mbi kombin që drejton Putin janë ndër më të këqija që nga mesi i viteve 1950, që ishte epoka më e errët e Luftës së Ftohtë.

Megjithatë nga 6.3 miliardë qytetarët e autokracive të botës, 70 për qind e tyre kanë sot një ndjesi pozitive ndaj Kinës dhe 66 për qind ndaj Rusisë. Një dekadë më parë, vetëm 18 për qind e vietnamezëve kishin një pikëpamje të favorshme për Kinën. Sot, më shumë se dyfishi i kësaj shifre mendojnë mirë mbi armikun e tyre historik.

Pse ndodh kjo gjë? Së pari, autokracitë anojnë natyrshëm drejt njëra-tjetrës. Regjimet e korruptuara ndihen më komode të bëjnë biznes me klientë të huaj që janë të lumtur t’i japin ryshfet. Ndërkohë, një numër befasues njerëzish preferojnë narrativën e Rusisë për Ukrainën sesa tonën.

Ata besojnë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy është një kukull e Perëndimit, dhe se ajo që po ndodh në vendin e tij është një luftë e thjeshtë civile midis fraksioneve pro dhe anti-ruse, pa dallime të rëndësishme morale mes tyre. Në Evropë dhe SHBA, Ministri i jashtëm i Putinit, Sergei Lavrov, cilësohet një gënjeshtar.

Por diplomacia e tij është shumë efektive në pjesën më të madhe të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe pjesëve të Azisë. Në fillim të këtij muaji, në mediat perëndimore u raportuan gjerësisht se Lavrov provokoi të qeshura tallëse në një konferencë në Delhi, duke pretenduar se Rusia ishte viktimë e agresionit ukrainas. Por u la mënjanë fakti se në të njëjtin aktivitet në rusi u duartrokit kur e akuzoi Perëndimin për hipokrizi dhe standarde të dyfishta.

Rusët dhe kinezët po zhvillojnë një luftë hibride globale, sidomos në hemisferën jugore. Kina është përgjegjëse për 1/3 të gjitha projekteve të infrastrukturës në Afrikën Sub-Sahariane. Po në Afrikë, televizionet e kontrolluara nga Moska, Sputnik dhe Russia Today kanë një audiencë shumë të madhe.

Lavrov ka të drejtë kur thotë: “Bota unipolare po arkivohet në mënyrë të pakthyeshme tek e shkuara dhe po lind një botë shumë-polare”. Nuk është se shumë njerëz dëshirojnë të jetojnë në Rusi apo Kinë. Por ata nuk dëshirojnë as që vendet e tyre të jetë nën hegjemoninë amerikane, të cilën e shohin si po aq shtypëse.  /albeu.com

Marrë me shkurtime

 

 


Shtuar 21.03.2023 15:03