Këngën e nënës e ka nxjerrë një javë pasi ajo kishte ndërruar jetë, Ervis Behari: Klipi është xhiruar në të 7-at e saj

Këngëtari shumë i dashur i muzikës popullore, Ervis Behari ka bërë si rrallëherë një rrëfim për karrierën e tij. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi se fillimisht ka nisur të këndojë me gjyshin kur ishte i vogël.

Më pas, Ervisi u shpreh se në koncertin e tij të parë është paguar vetëm 200 mijë lekë dhe me ato lekë i ka blerë nënës një fustan.

“Unë isha i vogël dhe më merrte gjyshi në ato fejesat, martesat, sebepet që kishim. Këndoja që kur isha i vogël. Ne këndojmë polifoni se unë vij nga një fshat që është midis Fierit dhe Mallaskastrës. Edhe kemi traditë muzikën polifonike, me atë jemi rritur.

Ka shumë njerëz që më kanë ndihmuar të jem këtu ku jam. Adrian Hila është një nga ata, e kam thënë shumë herë, por ai ka qenë mbështetja ime më e madhe dhe Arben Duka.

Koncerti im i parë ka qenë pa pagesë në fshatin tim. Ka qenë një mbrëmje. Ndërsa i pari me pagesën ka qenë nja 200 mijë lekë. Me ato lekë mbaj mend që i kam blerë nënës sime një fustan, sepse supozohej që rrogën e parë duhet t’ja dorëzosh nënës. Kështu e kemi ne andej nga fshati im”, tha këngëtari.

Ai sakaq, u ndal edhe te hit “Dajo”, të cilin zbuloi se e ka xhiruar kur nëna kishte ndërruar jetë dhe është një dedikim për të.

“Unë e kam thënë edhe herë të tjera, që çdo koncert timin e nis me këngën e “Nënës”. Madje, para se të dal në skenë shikoj ato fotot, e kam për energji të mirë.

Të gjitha këngët e mia, sidomos kënga e “Dajos” është bërë pasi ndërroi jetë nëna ime. Është një nga ato këngë që mua më ka lënë pasaportën, le të themi. Më ka identifikuar. Tekstet e këngëve të mia i ka shkruar Arben Duka, i cili është një poetët më të mirë që ka Shqipëria. Them që ka sepse ai mbetet gjallë përmes veprave të tij.

Unë kam nxjerrë këngën e nënës, një javë pasi nëna ime kishte ndërruar jetë dhe ka qenë dita e 7 kur unë kam xhiruar videoklipin në fshatin tim. Dua të them këtë gjë, që Zoti ndoshta të jep edhe fuqi, kur e mendon që të largohet një njeri i afërt nga jeta. Kënga e “Nënës” është inçizuar gjatë kohës që nëna ime ishte e sëmurë, nuk e dija, në atë kohë e mora vesh. Nuk e dija që ishte e sëmurë aq rëndë, më thotë Adi Hila, do bëjmë një këngë për nënën. Po, patjetër, i thash. Ndërkohë, që ai e dinte historinë time”, u shpreh Behari


Shtuar 8.12.2022 10:31