Bilanc lufte në rrugët e Shqipërisë: Në 30 vite, humbën jetën 8 781 qytetarë nga aksidentet

Dita e sotme ishte dita botërore e përkujtimit të viktimave të trafikut rrugor. Në kuadër të kësaj dite janë organizuar disa aktivitete sensibilizuese në shumë qytete duke u bërë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve të respektojnë rregullat e qarkullimit në rrugë.

Afro 300 shqiptarë humbin jetën në rrugë nga aksidentet rrugorë ndërsa mbi 1500 të tjerë mbeten të plagosur. Ky është bilanci në vite për vrasjet rrugore në Shqipëri të monitoruara nga policia e Shtetit që nga viti 1992 e deri në tetor të këtij viti.

Nga statistikat vihet re se viti që ka pasur më shumë aksidente është viti 1994 kur nisi në masë edhe përdorimi i makinave personale, ku janë shënuar 421 të vrarë ndërsa viti që ka pasur me pak viktima ka qenë 2020 me 181 të vrarë nga aksidentet shifër që mund të lidhet edhe me kufizimin e lëvizjes për shkak të pandemisë.

Duke shfrytëzuar Ditës Botërore të përkujtimit të viktimave nga Trafiku Rrugor, Policia ka zhvilluar një aktivitet sensibilzues për shoferët dhe këmbësorët ku iu bën apel që të respektojnë rregullat e qarkullimit për të shpëtuar jetë.

“Po ti referohemi statistikave të vendit tonë edhe pse në analizat që i bëjmë në si polici rrugore, kemi një ulje viti pas viti, por përsëri nuk jemi aty ku ne dëshirojmë. “

Aktiviteti sensibilizues u mbajt në sheshin Italia në kryeqytet, ku Policia Rrugore improvizoi një aksident për të treguar pasojat e rënda që ai sjell. Aktivitet të ngjashme u zhvilluan edhe në rrethe. Që nga viti 1992 e deri në tetor të këtij viti kanë humbur jetën nga aksidentet 8718 persona ndërsa janë plagosur 45726 te tjerë . /albeu.com/

 


Shtuar 21.11.2021 15:30