“Gëzuar ditën e demokracisë”, Basha reagon për herë të parë pas dorëheqjes

Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë pasi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike ditën e djeshme.

Pas përfundimit të mbledhjes, Basha u pyet nga gezatarët nëse do të rikandidonte për kryetar, por ai preferoi mos jepte përgjigje duke i thënë se do kenë kohë te flasin për këto çështje.

Ndërkohe ditën e sotme në rrjetin social Facebook, Basha ka reaguar duke kujtuar rezultatin e zgjedhjeve të datës 22 mars, ku shqiptarët zgjodhën PD për t’i udhëhequr.

Postimi i Lulzim Bashës:

30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste. Rrugëtimi ynë ka qenë i gjatë dhe i vështirë, me suksese që kanë shënuar për mirë jetën e shqiptarëve, dhe dështime që na kanë ndarë nga ajo shumicë dërrmuese shqiptarësh që në 1992-shin i dhanë jetë ëndrrës për një Shqipëri europiane.

Në dekadën e tretë të asaj fitoreje historike, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat kemi lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. Ata sot meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit.
Gëzuar ditën e parë të demokracisë! /albeu.com


Shtuar 22.03.2022 11:01