Ekstradohet nga Gjermania trafikanti Hekuran Marku, ish-truproja i Saimir Tahirit

Ekstradohet nga Gjermania drejt Shqipërisë, 47-vjeçari Hekuran Marku, një nga ish-truprojat e Saimir Tahirit.

“Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët gjermanë, u bë e mundur kapja në Gjermani dhe ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit H. M., 47 vjeç.
Shtetasi H. M. është arrestuar nga autoritetet policore në Gjermani, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në kuadër të operacionit “Shpirti”, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal””, njofton Interpol Tirana.

Kujtojmë se Marku akuzohet se është përfshirë në trafikun e drogës të zbuluar nga operacioni “Shpirti”. Nesër ai do të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

38 anëtarë të katër grupeve kriminale që trafikonin lëndë narkotike u arrestuan në kuadër të operacionit “Shpirti” nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), falë një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Italinë dhe të koordinuar me Eurojust-in, agjencia e Bashkimit Europian për bashkëpunimin gjyqësor në luftën kundër kriminalitetit./albeu.com