“Unë vdiqa dhe u ringjalla”, bashkëshortja e Moikomit flet për humbjen e tij

Pak ditë më parë u nda nga jeta shkrimtari dhe studiuesi i njohur, Moikom Zeqo. Ai humbi betejën me sëmundjen e rëndë në moshën 71-vjeçare. Ditën e sotme ishte e ftuar në “Shqipëria Live” bashkëshortja e tij, Lida Miraj, e cila rrëfeu për jetën dhe sëmundjen e Moikomit.

Miraj u shpreh se nuk e kishin kuptuar se kishte ardhur fundi dhe se ende nuk e besojnë se ai ka ikur nga kjo botë.

“Moikomi ishte shumë pozitiv nga ana shpirtërore, nuk e mendonte se do të ikte nga kjo botë. Pati rritje temperature, e çuam në spital dhe ishte periudha e pandemisë dhe nuk e takonim dot. Vetëm komunikonim me të, por nuk e dinim se situata ishte rëndë. Ndihej i lodhur, por nuk thoshte gjë”, tha Lida.

Ajo tregoi se vitin e kaluar ka qenë rëndë nga gjendja shëndetësore dhe atëherë mendonin se ishte fundi. “Vetëm vjet kemi menduar se ishte fundi, por mjekët na dhanë shpresë. Edhe Moikomi tha “unë vdiqa dhe u ringjalla”. Edhe pse ishte shumë rëndë, ai sërish punonte fort”, vijoi Miraj.

Ndërsa duke folur për punën e tij të madhe, bashkëshortja e Zeqos u shpreh se “ai ka punuar fort deri në ditët fundit të jetës, pa u ndalur në asnjë moment”.

“Kishte shumë projekte, në duar tani kishte tre libra. Bashkë me fëmijët shpresojmë që një ditë t’i publikojmë”, tha Lida.

Ndërkohë përsa i përket homazheve dhe varrimit të 71-vjeçarit, bashkëshortja tregoi se të shtunën do të mbahen homazhet në Muzeun Historik Kombëtar në orën 10 dhe më pas do të bëhet varrimi. Ajo theksoi se janë në pritje të mbërritjes së të birit dhe se gjatë përcjelljes së bashkëshortit për në banesën e fundit do të respektohen të gjitha rregullat e parashikuara nga situata e Covid-19.


Shtuar 17.06.2020 14:04