BSH pa audit, Prokuroria merr në pyetje zv/guvernatoren
Pëlqej
Emri i zv.guvernatores së Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni, është listuar nga prokuroria në mesin e dhjetëra personave që do të pyeten për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit.

Burime jozyrtare thanë për "GSH", se Gjoni është autoriteti përgjegjës që urdhëron ngritjen e grupeve të auditit dhe, pikërisht për këtë fakt, numri dy i Bankës së Shqipërisë pritet të japë shpjegime para prokurorëve, të cilët prej afro një muaji po hetojnë për atë që mund të konsiderohet pa frikë si "vjedhja e shekullit". Nga hetimet e deritanishme rezulton se, për një periudhë prej afro 3 vitesh në Departamentin e Emisionit nuk është kryer audit, çka dyshohet të ketë krijuar hapësira për vjedhjen e miliona lekëve.

Për të hedhur dritë mbi procedurat e ngritjes së grupeve të auditit si dhe shumë aspekte të tjera të kontrollit të godinës së Thesarit, zv.guvernatorja do të thirret dhe pyetet nga prokurorët. Në fakt, pyetja e saj dhe e shumë zyrtarëve të tjerë të lartë në Bankën e Shqipërisë, lidhet pikërisht me faktin se përgjatë kësaj periudhe prokuroria ka kryer veprime të ngutshme hetimore si dhe ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

Pas shqyrtimit të tyre do të vijohet me pyetjen e drejtuesve më të lartë të Bankës, ku duket se siparin do ta ngrejë zv.guvernatorja, dëshmia e së cilës konsiderohet si tejet e rëndësishme për të hedhur dritë mbi mënyrën sesi kontrollohej godina "X" dhe "pastërtia" e punonjësve të këtij institucioni tejet të rëndësishëm, ku në fakt nuk mbahen stok vetëm lekët që dalin nga qarkullimi, por edhe prerjet e reja që pritet të hidhen në qarkullim. /albeu.com/
Shtuar më 17/08/2014, ora 09:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori