Zhdukja e përgjimeve të politikanit “Taulant”, Beçi: Ka forma të tjera për të provuar faktin penal

Në dëshminë e dhënë para pak ditësh, Ardian Çapja ka deklaruar se një “politikan me emrin Taulant” ka dalë në përgjimet e masakrës së shkurtit të vitit 2016.

Sipas tij, gjatë hetimeve doli në përgjime emri i një politikani me emrin Taulant, por përgjimet u fshinë me urdhër të gjykatës.

“Prokurori Ridvan Sukaj është i lidhur me krimin, i kam kërkuar që të zbardhen ngjarjet e mia që më janë bërë 3 atentate 2 në 2017 dhe një në 2020 me snajper. Pas masakrës së 3 shkurtit 2016 unë nuk kam dal më nga shtëpia. Me avokatin e ndjerë Ravik Gurraj kemi marrë dosjen e ngjarjes së vitit 2016 dhe aty ka qenë në përgjim edhe një zyrtarë i lartë me emrin Taulant. Më pas kemi mësuar se me vendim të gjykatës së Elbasanit përgjimet e politikanit janë asgjësuar. Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë”, kjo ishte dëshmia e Çapjas.

I ftuar në emisionin “Log.” në Abc me gazetarin Endri Xhafo, ish-prokurori i krimeve të rënda, Eugen Beçi, u shpreh se përgjimi është një indicie për të shkuar te prova. Fakti që këto përgjime janë fshirë, nuk duhet të pengojnë hetimet që të shkojnë te indicia që ka dalë në dritë.

Beçi: Vendimi dhe kërkesa e prokurorit duhet të bindte gjykatën që kishte realizuar përgjimin ku ishte lapsusi. Lapsusi ngelet enigmatik sepse këto gjëra nuk ishin të sqaruar. Përgjimi i një politikani me emrin Taulant është zhdukur sepse procedua është e tillë. Përgjimi është një indicie për të shkuar te prova. Duke qenë një indicie që të çon te prova je i detyruar që me rrethana të tjera të shkosh te kjo indicie që të ka dalë. E njëjta gjë ndodh edhe me një përgjim telefonik. Edhe përgjimi telefonik do të çojë në nxjerrjen e indicies së disa rrethanave që do të çojë në një fakt penal apo jo. Nuk mund të marrësh përgjimin e telefonit dhe të sky-it për të dënuar një person. Nëse ka një lapsus që do gjendet apo jo personi me emrin Taulat ka forma të tjera të hetimit. Mos-sqarimi i fjalës lapsus është problem.

Xhafo: Berisha ka akuzuar Ballën në Parlament për një krim të rëndë të ndodhur në Elbasan. Numri që kam parë është i Taulant Ballës. Çfarë kishin ato përgjime nuk dihet sepse u shkatërruan me vendim gjykate.

Beçi: Procesi i të provuarit të një fakti penal nuk ka lidhje vetëm me këtë fenomen dhe fakt. Ideja është që jo vetëm ky episod mund të arrijë në procesin e të provuarit. Kodi penal ka forma të shumta të të provuarit. Ke 8 llojet e formave të marrjes së provave. Nuk mund të themi që meqë u zhduk ky përgjim nuk mund të provojmë faktin penal. Meqë është asgjësuar 48 orë përgjimi telefonik nuk do të thotë që s’mund të provohet fakti penal./Abcnews.al/