Plani “ekstrem” i Britansë së Madhe për emigrantët: Do i strehojmë në anije dhe baza ushtarake

Qeveria e Britanisë do të strehojë migrantët që kalojnë ilegalisht Kanalin Anglez në baza ushtarake dhe po shqyrton madje edhe qëndrimin e tyre në anije, tha të mërkurën Ministri i Emigracionit Robert Jenrick.

Kryeministri Rishi Sunak e ka bërë një prioritet për qeverinë e tij trajtimin e imigracionit dhe ka futur legjislacionin që do të parashikonte dëbimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që mbërrijnë ilegalisht, kryesisht përmes Kanalit Anglez.

Jenrick zbuloi planin, i cili do t’i shihte azilkërkuesit të strehohen në dy kampe në juglindje dhe lindje të Anglisë, ndërsa qeveria përpiqet të shkurtojë koston prej rreth 7.7 milion € në ditë, të cilat ajo shpenzon mbi akomodimin e emigrantëve në hotele.

Megjithatë, këto plane tashmë kanë ngjallur reagime nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, madje edhe nga brenda qeverisë. Sekretari i Jashtëm James Cleverley kritikoi propozimin për të përdorur një bazë ushtarake në zonën e tij elektorale të Essex.

Genrick shtoi gjithashtu se ministrat po konsideronin përdorimin e “anijeve” për strehimin e emigrantëve, duke përmendur faktin se qeveria skoceze po përdor një anije të ankoruar në Glasgow për të strehuar refugjatët nga Ukraina.

Këshilli i Refugjatëve tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” për planet, duke shtuar se akomodimi i kazermave ishte “plotësisht i papërshtatshëm” për nevojat e azilkërkuesve.

Sunak i tha kabinetit të tij të martën se kostoja e përdorimit të hoteleve dhe presioni që ushtron mbi komunitetet lokale do të thotë se nuk është e paqëndrueshme.

Në të njëjtën kohë, kryeministri britanik theksoi se fëmijët nuk mund të përjashtohen nga plani për arrestimin e emigrantëve të parregullt që kalojnë Kanalin, për të shmangur krijimin e një faktori tërheqës për emigrantët.

Komisionerja e të drejtave të njeriut të Këshillit të Evropës, Dunia Mijatovic, më parë këtë javë u kërkoi deputetëve britanikë të kundërshtojnë projektligjin e qeverisë për imigracionin e parregullt, duke thënë se ai ishte “në kundërshtim” me “detyrimet ndërkombëtare” të vendit.

Projektligji, i cili mbështetet nga shumë deputetë konservatorë, por i kritikuar nga grupe të të drejtave si Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, do të parashikonte që emigrantët që hyjnë ilegalisht në Britani të kthehen në vendet e tyre të origjinës ose në një “vend të tretë të sigurt”, siç është Ruanda, bazuar në një marrëveshje që Londra ka nënshkruar tashmë me këtë vend afrikan.

Në të njëjtën kohë, emigrantëve të paligjshëm që do të kapen do t’u ndalohet hyrja në Britani përjetë. /albeu.com


Shtuar 30.03.2023 10:40