Çfarë qëndron pas kërcënimeve të Rusisë në Arktik?

Sot, Rusia ka më shumë trupa mbrojtëse në Arktik sesa kudo tjetër në botë dhe kjo lidhet ngushtë me ambiciet e saj në këtë rajon.

Sipas shefit të departamentit të sigurisë në Universitetin e Alaskës, Troy Bouffard, Vladimir Putin e sheh Arktikun si burimin kryesor që do ta rikthejë Moskën në një superfuqi globale.

Por, ditën e djeshme Rusia kërcënoi NATO-n me një konflikt të mundshëm në Arktik, duke shtuar se anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në Aleancën e Atlantikut Verior vetëm do ta përkeqësonte situatën.

Gjithashtu, agjencia ruse TASS raportoi se Putin është i shqetësuar për ndërhyrjet e shteteve jo-anëtare të NATO-s në Arktik, si dhe për aktivitetin e tyre të shtuar ushtarak në këtë zonë.

“Ndërkombëtarizimi i aktiviteteve ushtarake të NATO-s në Arktik, që përfshin shtete jo-anëtare të saj, nuk mund të mos jetë arsye për t’u shqetësuar. Dhe në këtë kuptim, ato mund të kthehen në një rrezik për incidente të paqëllimshme, së bashku me rrezikun e shtuar të sigurisë dhe kjo mund të shkaktojë dëme serioze në ekosistemin e brishtë arktik,” – tha diplomati rus Nikoali Korchunov.

Sipas tij, ushtrimet e fundit ushtarake në këtë zonë të drejtuara nga Norvegjia, kanë kontribuuar në një destabilizm të sigurisë në rajon.

Vetë presidenti Putin javën e shkuar kërcënoi për një konflikt të mundshëm ushtarak nëse dy shtetet nordike vendosin të hynë në NATO.

Cilat shtete janë pjesë e Arktikut? 

Këshilli i Arktikut është një forum i rëndësishëm ndërqeveritar i cili përfshinë 8 shtete anëtare: Rusinë, SHBA-në, Kanadanë, Islandën, Finlandën, Norvegjinë, Danimarkën dhe Suedinë.

5 nga 8 shtetet e Këshillit Arktik janë pjesë e NATO-s.

Aktualisht, Rusia është drejtuesja e bordit të këtij këshilli.

Me nisjen e luftës në Ukrainë, të gjitha shtetet anëtare i kanë bojkotuar mbledhjet e bordit dhe që atëherë situata në rajon ka qenë në tension të vazhduar.

Pse ka kaq rëndësi Arktiku për Rusinë?

Për momentin, Rusia zotëron pjesën më të madhe të territorit në Arktik dhe ajo e sheh prej kohësh këtë rajon si mundësinë e saj të artë për t’u zhvilluar ekonomikisht.

Ka disa arsye për këtë.

Së pari, studimet gjeologjike të zonës kanë treguar prej kohësh për një sasi të lartë të resurseve natyrore në këtë zonë.

Resurset natyrore

Prej vitesh, Rusia ka investuar miliarda dollarë në modernizimin e flotës së saj detare në veri, të bazuar në Murmansk si dhe prezencën e saj ushtarake në veri – një zonë e cila besohet të jetë e pasur në resurse natyrore – përfshi gazin dhe naftën.

Në të njëjtën kohë, shkrirja e akujve si pasojë e ngrohjes globale do ta bëjë më të lehtë dërgimin e ekspeditave për të eksploruar dhe aksesuar thellësitë e Arktikut duke bërë të mundur ekstraktimin e resurseve natyrore që gjenden në fund të oqeanit.

Sipas US Geological Survey, 1/5 e të gjithë rezervave të gazit natyror në botë gjendet e paprekur nën akujt e Arktikut.

Ndërsa, Royal Institute of Internatioanl Affairs përllogariti që ky rajon përmban deri në 90 miliardë fuçi naftë.

Për momentin, janë të paktën 24 kompani të cilat kanë plane eksplorimi të gazit dhe naftës në zonën e Arktikut.

Industria e transportit

Po ashtu, kjo ulje temperaturash do të kontribuojë në ujëra më të ngrohtë dhe shkrirjen e akullit, që pritet të lirojë Rrugën e Detit të Veriut si dhe Pasazhin Veri-Perëndimor për sezone më të gjata të transportit me anije.

Kjo është arsyeja përse të dy këto zona kanë nisur të shihen si faktorë kyç për ekspertë ushtarakë dhe komercialë në Uashington, Moskë dhe Pekin.

Transporti mund të mos duket si një arsye e fortë, ama momentalisht 80% e të gjithë tregtisë botërore ende transportohet me anë të anijeve.

Me rritjen e temperaturave dhe shkrirjen e akujve, udhëtimi me anije në Oqeanin Arktik do të bëhet gjithnjë e më i lehtë, duke bërë të mundur shtimin e numrit të anijeve të mëdha që mund të transportojnë ngarkesa tregtare nga një kontinent në tjetrin.

Europa në udhëkryq

Në vitin 2020, një ish-gjeneral i lartë i NATO-s, Admiral James G Stavridis, paralajmëroi se ndryshimet klimaterike dhe gara globale për resurse natyrore do të mund të shkaktojnë një konflikt të ashpër në Oqeanin Arktik.

Zhvillimet e fundit në Ukrainë të cilat kanë destabilizuar Europën po i vendosin gjithnjë e më shumë në pozitë shtetet jo-anëtare të NATO-s, për t’u anëtarësuar në mënyrë që të ndjehen më të sigurta.

Por, nga ana tjetër, nëse marrim parasysh kërcënimet e vazhduara të Putin, edhe një anëtarësim i mundshëm i tyre do të shoqërohej me konflikte ushtarake të cilat do të vinin sigurinë e tyre në rrezik.

Duket se Europa është vendosur në një udhëkryq të pashmangshëm gjeopolitik, i cili vjen si rrjedhojë e dy arsyeve krejt të ndryshme – nga njëra anë ndodhen ambiciet personale të liderëve botëror ndërsa nga ana tjetër gjendet varësia e shoqërive moderne ndaj resurseve natyrore si gazi apo nafta.

Ambiciet e Rusisë për t’u rikthyer në skenë si një superfuqi dhe faktor i rëndësishëm ndërkombëtar, së bashku me forcat e pashmangshme të natyrës duket se po i shtyjnë lojtarët më të rëndësishëm global të rikonsiderojnë të gjithë strategjitë e tyre të mëparshme. /EuroNews