Karriera e Vedat Muriqit, nga Liria te Fenerbahçe dhe ëndrra Tottenham

Vedat Muriqi është zgjedhur “Futbollisti më i Mirë i vitit 2019” në Kosovë.

Ky çmim erdhi falë paraqitjeve madhështore me Përfaqësuesen e Kosovës dhe me Fenerbahçen. Rrugëtimin e tij në karrierë e ka nisur te Liria e Prizrenit, ku ka punuar me Skënder Kaprën. Ky trajner në një rrëfim për gazetën “Zëri” tregon punën e Muriqit, kalimin në Shqipëri e më pas në Turqi, si dhe interesimin e gjigantëve evropianë për shërbimet e futbollistit 25-vjeçar

Vedat Muriqi ishte sulmuesi më në formë shqiptar gjatë vitit 2019. Në verën e vitit që shkoi ai u transferua nga Rizespori te Fenerbaçeja dhe menjëherë i është besuar vendi i titullarit. Besimin e shpërbleu në mënyrën më të mirë, duke realizuar 11 gola në 16 ndeshjet e para. Edhe me Përfaqësuesen e Kosovës sulmuesi nga Prizreni po e bën të njëjtën gjë. Në vitin 2019 Muriqi në shumë ndeshje është treguar vendimtar, derisa ka realizuar katër gola dhe ka dhuruar tri asistime, shkruan gazeta “Zëri”.

Së fundmi Muriqi u shpall edhe “Futbollisti më i Mirë për vitin 2019” në Kosovë nga Federata e Futbollit e Kosovës, duke lënë pas vetes Milot Rashicën dhe Amir Rrahmanin.

Për shkak të angazhimeve të tij me skuadrën e Fenerbahçes, Muriqi mungoi në ceremoninë e organizuar nga shtëpia më e madhe e futbollit kosovar, por që ai la një mesazh për të gjithë të pranishmit në sallë. “Përshëndetje kryetarit, sekretarit dhe gjithë mysafirëve që janë aty. Unë jam mirë që po e mbyll vitin në këtë mënyrë. Dua të falënderoj shokët e skuadrës te Rizespori, te Fenerbahceja dhe sidomos te Kosova. Ishte vit mjaft i mirë si me punën, ashtu edhe te Përfaqësuesja e Kosovës. Ky do të jetë një motiv shtesë që ta ndihmoj klubin dhe Përfaqësuesen”, kishte thënë Vedat Muriqi.

Rruga e gjatë

Shtatlarti kosovar e ka nisur karrierën në skuadrën me nam në futbollin kosovar, Liria. Vedat Muriqi ka qenë nën urdhrat e Skënder Kaprës, i cili në një rrëfim për gazetën “Zëri” ka thënë se e ka vërejtur menjëherë karakterin dhe potencialin e Vedat Muriqit. “Vedat Muriqi ka qenë një futbollist me karakter të fortë. Edhe pse i ri, ai ka qenë një punëtor i madh, i disiplinuar dhe i përkushtuar në punë. Se do të arrinte kaq shumë ndoshta edhe nuk e kemi pritur. Ai gjithçka e ka arritur me punë”, u shpreh Skënder Kapra për “Zërin”.

Pas largimit nga Liria Muriqi e vazhdoi karrierën në Shqipëri te Teuta e Durrësit e më pas te Besa e Kavajës. Në Shqipëri ai qëndroi prej vitit 2013 deri në vitin 2016, atëherë kur edhe kaloi në Turqi te Girsunspori. Pas paraqitjeve të mira me këtë skuadër prizrenasi vazhdon rrugëtimin e tij te Genclerbirligi, Çaykur Rizespor dhe tani te klubi i madh turk Fenerbahçe. Gjatë kohës sa ishte pjesë e Lirisë Muriqi kishte shfaqur menjëherë cilësitë e tij në fushën e gjelbër. “Zhvillimi i tij gjatë periudhës sa ka punuar nën urdhrat e mia ka qenë i hovshëm, pasi edhe unë si kryetrajner e kam vërejtur se ky djalosh duhet ta ketë mbështetjen e plotë nga ana ime. Këtë gjë edhe e ka pasur, andaj ky djalosh ka ditur ta shfrytëzojë mbështetjen tonë dhe shpejt doli në sipërfaqe”, vlerësoi më tej Skënder Kapra, ish-trajner i Lirisë së Prizrenit.

Dilemat

Kapra ndër të tjera flet edhe për rrugëtimin mbresëlënës të Vedat Muriqit nga Kosova deri në Turqi. “Duke parë se Vedati dha sinjalet e para që duhej të ecë tutje për të kërkuar sfida të reja dhe një kampionat më të fortë, atëherë vendosi të kalojë te Teuta e Durrësit ku më pas pak luajti edhe te Besa e Kavajës dhe i është kthyer prapë Teutës. Nga aty ai kërkoi një kampionat më të fortë siç është Turqia, ku u transferua në Ligën e Parë te Giresunsporit e pastaj Gençlerbirligi”, tregon Skënder Kapra, duke shtuar: “Vedati dëshmoi kualitetin e një futbollisti të kalibrit të lartë. Në fillim ka pasur skepticizëm, por ja që tani Vedati është futbollisti kryesor i Fenerbahçes, gjë që po na bën edhe neve krenarë, posaçërisht mua që kam punuar me këtë djalosh të artë”, theksoi trajneri prizrenas.

Vedat Muriqi u shpall edhe “Futbollisti më i Mirë për vitin 2019” në Kosovë nga Federata e Futbollit e Kosovës, duke lënë pas vetes Milot Rashicën dhe Amir Rrahmanin.

Kapra mendon se me plot meritë sulmuesi prizrenas e fitoi këtë çmim, derisa ai nuk e la anash as Milot Rashicën. “Çmimin e ‘Futbollistit më të Mirë të Vitit” pa dyshim se e ka merituar Vedati, duke mos e lënë anash as Milot Rashicën, i cili po shkëlqen në Gjermani”, ka thënë Skënder Kapra.

Tottenhami, klubi më i përshtatshëm për Muriqin

Duke qenë se po shkëlqen në çdo ndeshje si me Fenerbahçen, ashtu edhe Kosovën, interesimi për Muriqin ka qenë shumë i madh, derisa edhe klube të mëdha evropiane, si: Tottenhami, Lazio e Manchester Unitedi e kanë përcjellë nga afër 25-vjeçarin. Duke folur për të ardhmen e Muriqit, Kapra mendon se klubi më i përshtatshëm për të do të ishte Tottenhami. “Tottenhami më duket tani klubi më interesuar, por edhe Manchester Unitedi. Në cilindo klub që ai shkon, ne do të ndihemi krenarë me Vedatin. Klubi më i përshtatshëm për të do të ishte Tottenhami”, përfundoi Kapra.

/Zëri.info/


Shtuar 1.01.2020 19:15