A është pandemia e Covid-19 një ngjarje traumatike?

Nuk ka dyshim se pandemia paraqet një sfidë serioze për mirëqenien emocionale dhe madje edhe për shëndetin mendor në mënyrë më specifike. Mungesa kronike e sigurisë, humbja masive e punës dhe vështirësitë ekonomike – shpesh janë të mjaftueshme për të destabilizuar njerëzit. Shtoji këtyre faktin që kemi të bëjmë me një sëmundje shumë ngjitëse dhe vdekjeprurëse, viktima të së cilës mund të jetë secili prej nesh në çdo kohë.

Pandemia është një stresues i madh dhe një kërcënim i mundshën për shëndetim mendor, por a përbën një traumë?

Në pamje të parë, ajo nuk përshtatet mirë me modelet e faktorëve që mund të çojnë në zhvillimin e reagimeve të stresit post-traumatik. Si fillim, pandemia është diçka aktuale dhe që ka patur vazhdimësi dhe stresi i shumë njerëzve lidhur me të, ka të bëjë me ngjarje të mundshme të ardhshme, më shumë sesa me përvoja aktuale apo të së kaluarës. Ndërkohë, modelet tradicionale të përgjigjes ndaj stresit post-traumatik sipas përkufizimit, supozojnë se reagimi është në përgjigje të diçkaje që ka ndodhur në të kaluarën.

Për më tepër, shumica e modeleve të stresit post-traumatik ndodhin pas ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj një ngjarjeje direkte kërcënuese për jetën. Përvoja e njerëzve në lidhje me pandeminë është kryesisht indirekte (për shembull: leximi i artikujve, ndjekja e lajmeve për Covid etj) dhe ngjarjet stresuese nuk janë menjëherë kërcënuese për jetën, por janë nënprodukte të pandemisë si humbja e punës, paqëndrueshmëria financiare, dhe izolimin social. Sidoqoftë, disa studime të fundit sugjerojnë që edhe në këto rrethana të pazakonta, njerëzit po tregojnë përgjigjet tradicionale të stresit traumatik ndaj pandemisë.

Ekzistojnë gjithashtu rrethana të veçanta që lidhen me karantinën që mund të rezultojnë në një rritje të përgjigjeve të stresit traumatik, veçanërisht për anëtarët e familjes që mund të përjetojnë abuzim në shtëpitë e tyre. Për më tepër, punonjësit e kujdesit shëndetësor, të cilët janë ekspozuar ndaj disa prej skenave më të tmerrshme, tronditëse të sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, gjithashtu tani mund të jenë në rrezik të shtuar për të zhvilluar stres post-traumatik për shkak të përvojave gjatë pandemisë.

Përtej asaj që tashmë po shohim, ka arsye për të besuar se përgjigjet traumatike ndaj pandemisë mund të rriten me kalimin e kohës. Është padyshim e mundur që edhe pse një numër i madh i njerëzve tashmë po luftojnë me shëndetin e tyre mendor në mes të kësaj pandemie, këto numra të rriten pasi pandemia të jetë drejt fundit dhe ne t’i kthehemi jetës normale. Një pjesë e njerëzve ka të ngjarë të përjetojnë një shkallë të traumës.

Ndërsa mbetet shumë për t’u parë për lidhjen midis Covid-19 dhe traumës, pandemia është një kujtesë e dobishme se ngjarjet traumatike mund të jenë të ngadalta për t’u shpalosur, të përjetuara kolektivisht, dhe madje edhe disi indirekte në natyrë.

Pavarësisht nëse Covid-19 përbën një traumë tradicionale apo jo, shkalla e lartë e shkatërrimit dhe pasigurisë e lënë pas saj do të vazhdojë të ndjekë shumë njerëz. Ne duhet të jemi të përgatitur për t’i ndihmuar ata të shërohen nga kjo përvojë e tmerrshme e mungesës së kontrollit dhe frikës së vazhdueshme për sigurinë dhe mirëqenien.


Shtuar 6.10.2021 10:55