“Nëse do vazhdojmë kështu, do na mbesë vetëm vula”, zbardhet debati me dyer të mbyllura në Kryesinë e PD-së

Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh dje për herë të parë pa Lulzim Bashën, i cili pak ditë më parë u tërhoq për të hapur rrugën e bashkimit të demokratëve pas asaj që ka ndodhur që prej 9 shtatorit të vitit të kaluar. Qëndrimi i unifikuar i anëtarëve të Kryesisë ishte që partia të mos mbeste vetëm në retorikë politike për t’u bashkuar, por të kalonte në akte.

Diskutimet kanë qenë mbi formulën se si duhet të shkohet drejt një negocimi. Deputeti i Shkodrës Helidon Bushati ishte i pari që dha idenë e tij për të shkuar drejt negociatave. Hapi i parë, sipas tij, nis duke hequr dyert e blinduara në seli.

Kërkesë që është mbështetur më pas edhe nga deputeti Ervin Salianji, i cili tha se dyert e hekurta ta shpifin dhe, nëse hiqen, japin një mesazh për negociata.

Më pas, gjatë diskutimit, ka pasur edhe një përplasje mes Jemin Gjanës dhe Helidon Bushatit, pasi Gjana iu drejtua deputetit të Shkodrës se vjen nga një familje e madhe shkodrane dhe s’mund të japë ide me heqje dyersh.

Reagimi i Bushatit ishte i menjëhershëm, duke i kujtuar moshën dhe se mund t’i kthente një përgjigje joetike. Megjithatë, ai i kujtoi Gjanës se mund të kundërshtojë idenë e tij, por mos të merret me prejardhjen.

Ndërkohë, deputetja e Dibrës, Dhurata Çupi, ka kërkuar që të ketë një grup negocimi, por ajo njëkohësisht ka “dënuar” retorikën e kolegëve të foltores ditët e fundit. Ndryshe nga deputetët e tjerë që janë anëtarë të Kryesisë, sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetarja Tabaku kërkuan që vendimi për Berishën të mbetej në fuqi.

Pas afro 3 orësh e gjysmë debate, anëtarët e komisionit dakordësuan që të dilnin me një deklaratë të përbashkët, të ndryshme nga ajo e Grupit Parlamentar.

Enkelejd Alibeaj: Pak më herët se të vinim në këtë sallë, kemi zhvilluar një mbledhje me sekretarët funksionalë të partisë, ku sigurisht temë kryesore e debatit ka qenë situata që po kalon partia. Ndërkohë, meqë nesër kemi seancë parlamentare, ju njoftoj se kemi paraqitur një mocion për debat.

Është një nga elementet e luftës opozitare brenda institucioneve. Një nga drejtimet ku duhet të ecë partia, është lufta opozitare në Parlament, e sinqertë dhe e plotë. E dyta, por që sigurisht ka një rëndësi të veçantë, është situata në të cilën ne ndodhemi si familje politike. Për qëndrimin e mëtejshëm. Pesha për secilin është e madhe. Por duhet që të gjithë bashkë të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat, të matur, të sigurt.

Helidon Bushati: Jemi këtu për të mirën e Partisë Demokratike. Ne që jemi këtu dhe ata që nuk janë, por shpresoj të jenë. Bashkimi është kryefjala e retorikës dhe e vlerësimit tonë politik. Bashkimi do të duhet të jetë kryefjala jonë, jo vetëm në retorikë, por edhe me akte konkrete. Partia Demokratike e ka jetike rikthimin në një debat konstruktiv, në një bashkëpunim të të gjitha flukseve. Si sinjal të parë unë propozoj dhe do të dëshiroja qe t’i kthehet normaliteti godinës, ta zhveshim nga fortifikimi edhe si sinjal të parë te rikthimit në normalitet.

Vetëm të bashkuar do të mund të jemi të fortë dhe garues. Nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur, zgjedhjet janë shumë afër. Prandaj, të gjithë ne do duhet të japim kontribut për bashkimin e kësaj force politike, do të duhet të tregojmë pjekuri. Xhesti i parë do të ishte heqja e dyerve të blinduara. Nuk e kam unë vetëm këtë mendim. Duhet të kthehemi në normalitet. Pa hyrë ishte mirë apo keq, duhet të hiqen. Hap i parë për bashkimin. Vetëm të bashkuar mundet të jemi konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, lokalet, janë më të afërta.

Xhelal Mziu: Jemi në një situatë jo të mirë, por në kohë të volitshme për t’u paraprirë zgjedhjeve të 2023-shit. Rezultati i datës 6 foli për shumicë në anën tjetër. As ne, as ata nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin. Nëse kryejmë zgjedhjet e 2023-shit në egoizëm, do të ishte vrastare për PD-në. Duhet të gjejmë mënyrën për t’u bashkuar. Nuk e gjykoj se data 30 prill është zgjidhje.

Nuk është normale që t’i bëjmë karshillëk njëri-tjetrit. Ne kemi potencialin e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja gjendet duke pasur një komision të përbashkët. Foltorja ka nisur organizimin në të gjitha degët. Nëse vazhdojmë kështu, do të vazhdojmë të mbetemi minorancë dhe të papërfaqësuar dhe pastaj na rroftë sigla e PD-së. Pra, ky grup i përbashkët të garantojë që nuk ka vend për triumfalizem.

Enkelejd Alibeaj: Jo. Nuk ka asnjë lloj skenari. Me aq informacion sa kam.

Jemin Gjana: Më vjen keq se je edhe familje e madhe e bushatllinjve dhe merresh me dyert e blinduara dhe nuk merresh me gjëra më të rëndësishme

Helidon Bushati: Mos më cito dhe sidomos mos përmend familjen. Jep mendimin tënd, por mos më cito dhe mos bëj interpretime të opinionit tim.

Ervin Salianji: Duhet thërritur Këshilli Kombëtar që të japë legjitimitetin formal. Të ndërtojmë një grup dhe zgjidhje që e bën bashkimin funksional për të gjithë, ku të gjithë mund të përfaqësohen si ngjyrime. Të hiqen dyert e hekurit, të tregojmë me simbolikë hapjen e partisë.

Gazment Bardhi: Dyert janë të hapura.

Ervin Salianji: Dyert e hekurit, që as nuk preken me dorë, ta shpifin, t’i heqim!

Gazment Bardhi: Neve na kërkuan dhe ne dhamë dorëheqjen dhe ata nuk kanë asnjë lloj dorëheqjeje. Unë i qëndroj vendimit të 9 shtatorit. S’mund të pranojmë që t’ia kthejmë PD-në “non grata”-s. Ne duhet të dalim nga kjo Kryesi me një mesazh të fortë bashkimi. Do t’i shtrimë dorëheqjen e bashkimit palës tjetër. Së pari, lidhur me blindimin e PD-së, dyert janë të hapura, dhe janë çështje të administratës. S’ia vlen të merremi në Kryesi me këtë. Së dyti, për zgjedhjet e vitit 2023. Është propozuar një ide që do të pranohej nga të dyja palët, duke bërë zgjedhje të bashkuara. Jam dakord edhe unë që të dalim me mesazh për bashkimin.

Dhurata Çupi: Ne duhet të bashkohemi. Më datë 6 provuam që ne si PD jemi asgjë pa pjesën e foltores. As foltorja nuk ishte asgjë pa ne. Bashkë mund të jemi fitues në disa bashki. Ne duhet t’iu japim demokrateve bashki të fituara më 2023-shin. Dhe këtë e kemi detyrim për demokratët. Ne duhet të jemi bashkë për demokratët. Këtë s’do të na e falnin demokratët.

Të kemi qëllimin e mirë për t’u bashkuar shpirtërisht, jo mekanikisht. Një grup negocimi të mandatuar nga Kryesia, me qëllimin për bashkim, jo për të vendosur kushte. Të shkojmë e të negociojmë më dëshirën dhe vullnetin për bashkim. Nga ana tjetër, s’jam fare dakord me gjuhën e vrazhdë të përdorur nga disa deputetë ditët e fundit në media. Jam dakord që zoti Berisha ka mbështetjen e strukturave të PD-së në shumicë. Por deputetët e tjerë janë pa asnjë kredit më shumë se deputetët e PD-së. Përse dalin e linçojnë kolegët e tyre që nesër duan të rikthehen në një grup me ta?!

Roland Bejko: Çfarë qëndrimi ke tani për Sali Berishën?

Dhurata Çupi: Vendimet që janë marrë, janë marrë në kontekstin e asaj kohe, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë reflektim. Tani jemi në një moment tjetër, që e imponon rezultati i 6 marsit dhe në politikë ka reflektim.

Tomor Alizoti: Sot ishte nga mbledhjet më të qeta që kemi pasur. Bëra një pakt me grupin që do të flas ato që them unë dhe jo ato që kanë folur kolegët e tjerë. Ka një problem te mbledhjet tona, që gjatë diskutimit, nxirren fjalët, që nuk është etike. Pikat kryesore të miat ishin këto: PD në bashkim nuk duhet të shkojë me fjalë letrare, por me akte politike. Akti i parë është shfuqizimi i të gjitha përjashtimeve të demokratëve që mbledhja e nesërme të jetë me gjithë demokratët, në Grupin Parlamentar të jenë të gjithë demokratët.

Pika e tretë, zhblindimi i PD-së. Këto janë disa simbolika, akte që afrojnë dhe palën tjetër, që të unifikohemi si parti përmes akteve. Ne nuk mund të shmangim asnjë kandidat përmes deklaratave. Partia është garë. Do të dëshiroja që partia të kishte kandidatë që do t’i përkisnin së ardhmes, por këtë e vendosin demokratët. Ne e zgjidhim krizën jo duke bërë retorikë bashkimi, shtrim dore. Politika ka akte. Të hyjmë në një garë ku të fitojë më i forti./Panorama/