Vëllai i Taulant Tushas mori 200 mijë euro nga AZHBR

Në zonën kadastrale 2105, në Kashar është ndërtuar një bujtinë moderne. Investimi prej 374 mijë eurosh, nuk është financuar i gjithi me kapital privat. Mbi 196 mijë euro janë dhënë nga AZHBR si grant nga fondet e IPARD 2. Pronari i bujtinës dhe përfituesi i 196 mijë eurove është Sokol Tusha, vëllai i Taulant Tushas, drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës.

Bujtina e financuar në pjesën dërrmuese me paratë e taksapaguesve europianë, por edhe atyre të buxhetit të shtetit frekuentohet shpesh nga drejtuesit e bashkisë së Tiranës. Madje shpesh aty organizohen edhe party apo festa. Por kjo është një histori tjetër.

Përveç bujtinës dhe fermës në Kashar, vëllai i drejtorit të Punëve Publike, zotëron dhe tre biznese të tjera. Njëri prej tyre, në fushën e ndërtimit, vitin e kaluar realizoi 200 mijë euro fitime neto. Ndërkohë që vetëm pak muaj më parë, përmes një biznesi tjetër, Sokol Tusha, përfitoi nga KKT leje ndërtimi për një hotel 8 katësh në Himarë.

Sigurisht që zoti Tusha ka gjithë të drejtën që të bëjë biznes të ligjshëm dhe të aplikojë për të përfituar mbështetje nga fondet strukturore të Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare. Por në kushtet kur mijëra fermerë në mbarë vendin, nuk arrijnë të marrin as një qindarkë mbështetje, fakti që një person me hotel dhe disa biznese arrin të marrë 200 mijë euro nga AZHBR ngre një pyetje thelbësore.

Mbi bazën e çfarë kriteresh shpërndahen grantet e AZHBR? Dhe cili është qëllimi i tyre, të pasurojnë edhe më shumë të pasurit apo të ndihmojnë fermerët e varfër? Megjithatë zoti Tusha nuk është personi i vetëm në rrethin e ngushtë të Rilindjes, që ka përfituar para falas nga AZHBR.

Në Divjakë, dinastia rilindase e Kokoneshëve është disa herë përfituese e granteve të AZHBR duke përfshirë bashkëshorten dhe nipin e kryetarit të Bashkisë, Fredi Kokoneshi. Në Pezë, vetëm pak kilometra në dalje të Tiranës, ish deputeti rilindas Dashamir Peza ka përfituar rreth 220 mijë euro. Në Vlorë, ish kryetari i FRESH mori 300 mijë euro.

Nëse listës i shtohen dhe dhjetra kushërinj, halla, teze apo kunata të socialistëve kudo nëpër Shqipëri, Buajtë e inceneratorëve apo dhe dhjetra biznesmenëve oligarkë, dyshimet për mënyrën se si janë shpërndarë grantet e AZHBR vetëm mund të shtohen. Ndaj, vendimi i Bashkimit Europian për të pezulluar fondet për Shqipërinë, një ditë më parë nuk është edhe shumë surprizë.

Një shprehje pak e rëndë e zhargonit popullor thotë se këtu është bërë m*ti mullar. Kjo është situata tipike. Ministrja e Bujqësisë mundohet më kot të tregojë mjaltin tek mullari. Këtu ka vetëm ashtu rilindasish, era e të cilit vajti deri në Bruksel./ologarkia.al/