Ministri i Jashtëm i RMV shpalos planin për çtensionimin e situatës në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani ua prezantoi sot në Shkup shefave të misionit te OSBE-së në Kosovë, Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut një plan disa-pikësh për shtensionimin e gjendjes në veriun e Kosovës. Plani, në fakt është identik me udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian të mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara. Zoti Osmani thotë se vendi i tij është mjaft aktiv në nxitjen e dialogut dhe uljen e tensioneve për shkak të rrezikut nga dëmevet e pariparueshme për rajonin.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së synon që organizata të ndihmojë në lehtësimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, por para së gjithash për shtensionimin e gjendjes në veriun e Kosovës.

Shefi i diplomacisë në Shkup shpreson se një udhërrëfyes apo plan nëntë-pikësh do të gjejë zbatim tek palët; ndonëse ky ‘udhërrëfyues’ nuk dallon shumë nga kërkesat që Brukseli dhe Uashingtoni ua kanë paraqitur Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova dhe Serbia të riafirmojnë përkushtimin për zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Dialogu nuk ka alternativë, marrëveshjet duhet të implementohen. Çdo mosimplementim i marrëveshjeve të arritura, vetëm humb besimin ndërmjet palëve dhe në këtë mënyrë tensionon edhe më tej situatën. Pikat tjera të udhërrëfyesit kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe nënkuptojnë: tërheqjen e menjëhershme të forcave speciale të Kosovës nga veriu i Kosovës, që nënkupton se policia e rregullt bashkë me KFOR-in dhe organizatat tjera të mbajnë rendin në veri. Kurse, Serbia të ulë nivelin e gatishmërisë ushtarake në veri të Kosovë. Të shpallen zgjedhje të reja në këto katër komuna, me qëllim të pjesëmarrjes së komunitetit Serb që do rikthejë legjitimitetin, legaliteti është aty, por legjitimitetin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës dhe në këtë mënyrë të krijohet besimi dhe rikthimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës dhe këtu OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë vetëm me ekspertizë, me këshilla dhe natyrisht me krijim të mirëbesimit për participimin e komunitetit serb atje, me fokus tek të rinjtë”, tha z. Osmani duke renditur disa prej pikave të ‘udhërrëfyesit’.

Zoti Osmani gjatë takimit me shefat e misioneve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ambasadorët Jan Braathu në Serbi, Michael Davenport në Kosovë dhe Kilian Vahl në Shkup është shprehur se “udhërrëfyesi i ofruar inkurajon atmosferë të dialogut dhe të bashkëpunimit”, teksa ka diskutuar me ata lidhur me perspektivat e mundshme të shtensionimin të gjendjes midis dy vendeve fqinje të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Serbisë, por ka biseduar edhe mbi çështje të tjera rajonale.

Maqedonia e Veriut dëshiron të paraqitet si një shembull suksesi në rajon dhe më gjerë me Marrëveshjen e Ohrit që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe në këtë vijë edhe me organizimin e pritjes së takimit të Ohrit më 18 mars midis Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiç me ndërmjetësimin e Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrel dhe të dërguarve evropianë e amerikanë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Diplomatët perëndimorë po i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe t’i hapin rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës. Nga Kosova kërkohet pezullimi i operacioneve policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Nga Serbia ndërkaq të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës. Por, asnjëra palë nuk ka dhënë shenja gatishmërie për të lëshuar pé./voa


Shtuar 3.07.2023 12:37