Garancia që u mor për të shembur Teatrin Kombëtar

NGA REDI GJUZI

Në një koment të fundit, para se fadromat e pushtetit të dhunonin Teatrin, studiuesi Aurel Plasari kujtonte historinë e shembjes së Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës. E ndërtuar në shekullin e XIII, komunistët e shembën në vitin 1967, në një ndër vitet e marrëzisë së madhe.

Plasari tregon në shkrim për ish-drejtorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Gani Strazimiri. Ky i fundit, në vitin 1967, dorëzoi në Prokurori një padi kundër shkatërrimit të Kishës. Kuptohet që padia nuk pati sukses. Plasari sqaron që asaj nuk iu vu veshi. Por historia e arkitektit në kohë të diktaturës është e njëjtë me atë që po ndodh sot.

Arkitekti i nderuar i viteve të diktaturës më të egër që ka jetuar Europa, e dinte shumë mirë që Prokuroria e Aranit Çelës, apo një sivllau të tij në atë kohë, as që kishte ndër mend të hetonte apo akoma më keq, të gjykonte aktet e pushtetit popullor. Por, arkitekti, tek shikonte turmat e të rinjve të Ramiz Alisë që i suleshin objekteve të kultit, heshtjen dhe frikën e qytetarëve e besimtarëve për mbrojtjen e tyre, ka menduar se e vetmja detyrë qytetare është denoncimi juridik i tyre. Një shpresë se në diktaturë, ndoshta shkelja e ligjin mund të ndalonte marrëzinë.

E njëjta situatë është edhe sot. Drejtuesi i SPAK, para dy ditësh konfirmoi për “BIRN” se ka një procedim penal të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të artistëve për çështjen e Teatrit. Artistët kanë denoncuar në Prokurorin e re, atë të reformuarën, çështjen e shembjes së Teatrit. Do të ishte i marrë, ai zyrtar që firmoste për prishjen e Teatrit në orën 4 të mëngjesit, kur SPAK ka nisur hetim për shembjen. Sikundër është guxim i madh të miratosh 4 akte, brenda 9 ditëve për të shembur një objekt që po hetohet jo vetëm nga SPAK, por edhe nga Gjykata Kushtetuese me dy padi. Nuk ka frikë fare nga hetimi drejtori, që firmos një dokument për shembjen e Teatrit, me argumentin se “struktura nuk i përgjigjet kërkesave sizmike”. Inxhinierit ju shembën me qindra pallate nga tërmeti dhe Teatri nuk lëvizi.

Duhet të kesh garanci “vëllazërore” me të gjithë sistemin e drejtësisë, të sfidosh me dokumente anëtarët e Këshillit Bashkiak duke njoftuar për mbledhje më datë 15 maj dhe të miratosh vendimin më datë 14 maj. Vetëm nëse e di 100 për qind që nuk do hetohesh e dënohesh, mund të interpretosh që Teatri është “individ”. Shikoni çfarë thotë ligji për vendimet e Këshillit Bashkiak. “Aktet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e miratimit të tyre dhe hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes. Aktet me karakter individual hyjnë në fuqi në datën e njoftimit të tyre subjekteve që përfshihen në to”. Bashkia e Tiranës, Policia Bashkiake e kanë interpretuar se akti për shembjen e teatrit është me “karakter individual”, njësoj si ndihma ekonomike.

Guxim i madh apo garanci e pafundme? Duhet të jesh aventurier në kufij të çmendurisë të firmosësh se brenda asaj godine nuk ka asgjë me vlerë dhe duhet shembur me gjithçka brenda. Për parantezë, shikoni çfarë ka thënë vetëm pa ditë më parë kryetari i bashkisë: “Kostumet e Ndrek Lucës nuk kanë pse i mbajnë peng aty bobinat me zërin e Kadri Roshit, nuk kanë pse i lënë aty t’i hajë mola dhe miu i Tiranës, të ushqehet me rrobat dhe zërin e artistëve”.

A nuk ka pasur frikë nga hetimi e më pas burgu ai drejtues që i ka lënë nën rrënojat e fadromave këto kostume e bobina që thotë Veliaj? Sigurisht që ka pasur, por ka firmosur i sigurt që nuk do të ketë as hetim e as gjykim, as për të e as për eprorët e tij. Kjo është ngjashmëria e aktit të Gani Strazimirit në Prokurorinë e Enver Hoxhës, me akuzat e depozituara nga aktorët deri te Presidenti në Kushtetuese, për shkeljen e ligjit gjatë shembjes së Teatrit sot.

Nëse do kishte vetëm 1 për qind drejtësi, frikë nga drejtësia e re apo e vjetër apo që do të vijë, sigurisht që ky zinxhir firmash nuk do të ishte hedhur dhe ajo godinë do të ishte sërish aty. U deshën vite e vite që të puqeshin bashkë këto dy instrumente që garantonin shkatërrimin.

Edhe sjellja, mënyra e rrëzimit të godinës në orën 4 të mëngjesit ka pasur garanci të mëdha, sepse marrëzia ka vite që është shfaqur. E patë dhunën e Policisë me një mllef provincial të paparë ndaj qytetarëve të vet. Janë veprimet e Policisë së Lleshit (fytyra e policëve është fytyra ime). Asnjë nga ata policë me uniforma pa numra apo civilë të shfytyruar nuk do guxonte të vepronte në atë mënyrë, nëse do kishte frikë SHKB e më pas nga Prokuroria e gjykata. E për të sfiduar të pasfidueshmen, drejtuesit e Policisë thanë: “Nuk ka pasur dhunë”. Se e dinë që më pas asgjë s’do ndodhë, edhe pse të dhunuarit u panë më zë e me figurë.

* * *

Por ajo vepër perëndimore që do t’i mungojë Tiranës, dje sqaroi një debat të madh. Për fat të mirë, zvarritja e shembjes së saj, të paktën dy vitet e fundit, i dha kohë Europa Nostra ta shpallte godinën një ndër 7 objektet më të rrezikuara në Europë. Akti i Europa Nostra e më pas i Komisioneres së BE-së për Kulturën, qartësuan që Teatri është trashëgimi perëndimore dhe që mund të restaurohet. Ato garantuan edhe fondet për restaurimin. E kush i beson BE-së, duhet të jetë i qartë sot se u shemb një godinë që restaurohej dhe se mbrojtja e saj është vlerë perëndimore.

Ne sot duhet të falënderojmë (dhe t’i kërkojmë ndjesë për të marrët me fadroma) arkitektin italian, Giulio Berté, që na përcaktoi edhe një herë anët e historisë. Si gjithmonë, qartësia vjen nga perëndimi, edhe kur i vëmë kazmën.

* * *

P.S. Sa për aktorët që firmosën peticionin proqeveritar për shembjen e godinës, duhen vlerësuar për guximin. Është peshë e madhe morale të sfidosh vetveten, është një metamorfozë që vetëm artistët mund ta bëjnë. Sa më i talentuar dhe me eksperiencë, aq më shumë i vlerësuar nga fadromistët do të jesh në këto kohë. Sfida e re do të jetë për shembjen e Parlamentit ose Ministrinë e Bujqësisë. Qeveria pritet të pyesë Lenka Çukon, si një ndër deputetet më të hershme që ka punuar aty dhe Themije Thomain, si një ndër ministret e vjetra. Më pas, të tjerët duhet të heshtin…


Shtuar 18.05.2020 11:00