“Janë vrarë 5 ushtarë ukrainas në kufi me Rusinë”, gazetarja: Lajm i rremë

Lajmi se 5 ushtarë ukrainas që tentuan të kalonin kufirin rus, janë qëlluar për vdekje, është i pavërtetë.

Këtë informacion të shpërndarë sot, e përgënjeshtron gazetarja e Abc Linda Karadaku nga Kievi, ku ndodhet prej ditësh për të raportuar mbi situatën e krijuar për shkak të frikës së një pushtimi rus.

“Unë kam pyetur sot dhe më thanë që nuk është e vërtetë, sepse është fake news”, tha ajo.

Edhe ministria e jashtme e Ukrainës tha se raportet e Moskës ishin “lajme të rreme”.

“Ne nuk kemi ushtarë tani që flasim në rajonin rus të Rostovit”, thuhej në deklaratë.

Ukraina është tashmë e rrethuar nga tre anët nga rreth 150,000 ushtarë, avionë luftarakë dhe pajisje ruse. Rusia mbajti stërvitje bërthamore të shtunën, si dhe stërvitje konvencionale në Bjellorusi, dhe bën stërvitje të vazhdueshme detare në brigjet e Detit të Zi. Pretendimet se shtetasit rusë po rrezikohen mund të përdoren si justifikim për veprime ushtarake./abcnews.al


Shtuar 21.02.2022 20:07