Bizneset shqiptare dhe maqedonase më të shqetësuarat në rajon për kostot e punës

Barometri i biznesit për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor evidentoi se, sipërmarrjet shqiptare kishin shqetësimin më të lartë për rritjen e kostove për forcën e punës.

Anketa evidentoi se 89 për qind e bizneseve shqiptare pohuan se kostot e punës u rriten me tej në vitin 2023, por ky shqetësim ishte më i lartë në Maqedoninë fqinje ku 92% bizneseve raportuan rritje të kostove.

Emigrimi i lartë në të dy vendet ka krijuar problematika të forta të fuqisë punëtore. Shumë sektorë vuajnë mungesa dhe kjo ka nxitur rritjen e pagave dhe për rrjedhojë edhe të kostove ndaj bizneseve. Në Shqipëri mungesa e burimeve njerëzorë po pengon zgjerimin në disa sektorë si turizmi dhe industria.

Bizneset e Ballkanit Perëndimor e shohin situatën paksa më të favorshme se një vit më parë, pasi indeksi i kënaqësisë së tyre u rrit me 5 pikë në 58.

Megjithatë, 77% e bizneseve thonë se kostot e tyre operacionale janë rritur, 6% më shumë se në vitin 2022. Vetëm një e treta e bizneseve parashikojnë një përmirësim të situatës së tyre ekonomike në 12 muajt e ardhshëm.

Paqëndrueshmëria makroekonomike, disponueshmëria e fuqisë punëtore dhe ikja e trurit/emigrimi janë identifikuar si faktorët më shqetësues që ndikojnë në rritjen e biznesit në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2022, pandemia Covid-19 u pozicionua e para, e ndjekur nga stabiliteti makroekonomik dhe aksesi në financim dhe ekonomi informale.

Në funksion të sfidave me të cilat përballen, 69% e kompanive përdorin fondet e tyre dhe fitimet e pashpërndara për të financuar operacionet e tyre, duke treguar një tkurrje të konsiderueshme të aksesit në financa.

Një nivel i ulët i ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike vazhdon tek bizneset në rajon, ku 70% e të anketuarve nuk e konsiderojnë atë si problem për aktivitetin e tyre. 42% e bizneseve besojnë se tranzicioni i gjelbër do të kishte një ndikim pozitiv në biznesin e tyre, por 50% besojnë se nuk do të ketë ndikim.

Faktorët që mund të ndikojnë dhe përmirësojnë zbatimin e praktikave të mira në aktivitetet e tyre të biznesit janë çmimet e energjisë (52%), dhe efikasiteti i energjisë dhe burimeve (38%).

Mungesa e subvencioneve qeveritare (48%) ishte barriera e dytë më e cituar në vitin 2022, menjëherë pas kostove të shtuara (64%), të cilat ruajtën pozicionin e parë edhe në vitin 2023. Mungesa e aftësive dhe përvojës u rendit e treta në vitin 2022 me 40% të të anketuarve që theksuan këtë çështje. %i mundet qeveria të stimulojë gjelbërimin e sektorit të biznesit?

Bashkëpunimi rajonal perceptohet si i rëndësishëm nga 74% e bizneseve, duke shënuar një rritje prej 5% nga viti i kaluar dhe një rritje prej 23% që nga viti 2016. Mbështetja më e lartë vjen nga Shqipëria me 85%, dhe Bosnja dhe Hercegovina me 84% ku vërejmë një 9% rritje nga viti i kaluar.

Niveli i mbështetjes për anëtarësimin në BE në Ballkanin Perëndimor ka dëshmuar një rritje të konsiderueshme që nga viti 2022, duke u rritur me 11 pikë përqindjeje për të arritur në 71% në nivel rajonal.

Kjo shënon nivelin më të lartë të mbështetjes së perceptuar nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor që nga viti 2015, kur 56% e të anketuarve cituan se anëtarësimi në BE është i mirë për ekonominë e tyre. Ngjashëm si në vitin 2022, bizneset shqiptare treguan mbështetjen më të lartë (96%), dhe serbe më së paku me 62%, por përsëri duke bërë përmirësimin vendimtar prej 13% që nga viti 2022 dhe më shumë se dyfish që nga viti 2016 kur ishte 29%.

Anketat e Barometrit Ballkanik të vitit 2023 u kryen midis fillimit të shkurtit dhe fillimit të prillit 2023 në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që operon nën nismën e Berlinit. Sondazhi i Opinionit të Biznesit paraqiti 80 pyetje për 1211 pronarë, menaxherë apo drejtues biznesesh./monitor