Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, sfida të së ardhmes

Nga Miranda Duka
Ngjarjet terroriste në periudha të ndryshme të historisë kanë ngritur një numër pyetjesh dhe dilemash në luftën kundër terrorizmit apo ekstremizmit të dhunshëm.

Ekstremizmi i dhunshëm konsiderohet një kërcënim serioz, për sigurinë e brendshme nga qeveri të ndryshme, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Termat që përdoren më shpesh në lidhje me këto ngjarje janë radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi. Këto janë koncepte, që nuk duhet të analizohen të ndara, për sa i përket një procesi të thjeshtë linear, por përkundrazi, si një dinamikë e marrëdhënies. Për më tepër, këto janë koncepte komplekse me përkufizime të kontestuara.

Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm shpesh përdoren në mënyrë të ndërsjellë në ligjërimin politik, duke zgjuar debatin për përcaktimet e tyre, në shkencat shoqërore.

Sipas një interpretimi, ‘radikalizmi’, kërkon të ndryshojë strukturën ekzistuese politike dhe shoqërore, por nuk është domosdoshmërisht i dhunshëm.

‘Ekstremizmi’ në këtë kontekst i referohet adoptimit të një ideologjie të veçantë, me qëllim të përdorimit të dhunës, për të hequr shtetin ose strukturën qeverisëse dhe elitat e saj. Një interpretim tjetër e shikon radikalizmin, si ndjekje për ndryshime gjithëpërfshirëse, ndërsa e kufizon ekstremizmin, si ndjekës i ideologjive politike konkrete dhe të lokalizuara.

Radikalizimi është shpesh një proces gradual që kërkon kohë. Hyrja në një organizatë radikale jo domosdoshmërisht do të thotë, që individi është radikalizuar.

Një i porsaardhur më vonë mund të radikalizohet përmes dinamikës së grupit, dhe kjo përfshin “zhvendosjen” në pikëpamjet ekstreme, kohezion ekstrem nën izolim dhe kërcënim, si dhe konkurrencën për mbështetje dhe popullaritet brenda një grupi radikal.

Radikalët nuk janë domosdoshmërisht ekstremistë të dhunshëm /terroristë.

Shumica e radikalëve nuk përfshihen në dhunë ose terrorizmit; shumë terroristë nuk kanë një ideologji mbështetëse për veprat e tyre.

Ndërsa radikalizmi përshkruan një proces gjatë të cilit individët ose grupet ndajnë gjithnjë e më shumë mendime dhe besime ekstremiste, ekstremizmi nënkupton gatishmërinë për të përdorur forcën në mënyrë, që të arrihet politika, ose të tjera objektiva.

Besimet ekstremiste janë bindje të thella, të cilat kundërshtojnë vlerat themelore të shoqërisë, ligjet e demokracisë dhe të drejtat universale të njeriut, që mbrojnë epërsinë e një grupi të caktuar (racor, fetar, politik, ekonomik, shoqëror, etj.).

E vetmja gjë për të cilën bien dakord ekspertët e radikalizmit është se radikalizmi është një proces njohës, që fillon me miratimin gradual të ideve ekstremiste dhe përfundon, nëse përfundon, në praktikën e ekstremizmit të dhunshëm ose terrorizmit (Schmid, 2013: 1).

Faktorët, që kontribuojnë në proceset e radikalizmit të dhunshëm mund të jenë: familjarë, socialë, me bazë gjinore, socioekonomike, psikologjike, fetare, ideologjike, historike, kulturore, politike, propaganduese, media sociale ose të bazuara në internet.

Ngjarjet dhe kushtet që e çojnë një person nga idetë radikale drejt veprimit të dhunshëm janë gjithashtu të shumta, dhe mekanizmat janë aq të ndërlikuar, sa duhet të prishen për tu kuptuar.

Prandaj, ekziston një nevojë e qartë, për të përfshirë një kuptim shumë-nivelesh të radikalizmit, që përfshin individë, grupe dhe publikun masiv dhe të përpiqet të specifikojë ndërveprimet midis tyre.

Sulmet ekstremiste në Londër në korrik 2005 dhe Madrid në mars 2004 kanë sjellë njohjen nga shumë burime qeveritare, akademike dhe sigurie te faktit, që Evropa tani përballet me një lloj të “terrorizmit” cilësor.

Ajo që është përshkruar si “ terrorizëm i ri” duket se funksionon në një dimension global dhe është më i rrjedhshëm, i shpërndarë dhe i paparashikueshëm, sesa kërcënimet e mëparshme terroriste.

“Terrorizmi i ri” zhvillohet nga grupe kryesisht autonome, që veprojnë në mungesë të trajnimi institucional dhe rekrutimi, por ndajnë të njëjtën prirje ideologjike. Shfaqja e grupeve “qelize” autonome por të rrjetëzuara paraqet një fenomen të veçantë dhe të ri dhe një largim dramatik nga natyra e veprimtarive të mëparshme.

Sulmet në Londër, në të cilat u vranë 52 njerëz, gjithashtu sinjalizuan një tendencë tjetër, se autorët ishin të gjithë qytetarë që kishin kaluar pjesën më të madhe ose të gjithë jetën në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk ishin veteranë të ngurtësuar të ndonjë konflikti të mëparshëm, por përkundrazi anëtarë të një komuniteti, të cilët mendohet se duhet të ishin formuar në një kontekst kulturor gjerësisht liberal-demokratik dhe tolerant.

Megjithatë, siç kanë vërejtur shumë komentues, supozime të tilla vështirë, se duken të besueshme, kur merren parasysh vlerat, që ideologët militantë mbështetën në videot e martirizimit dhe indiferencën e dukshme ndaj viktimave masive civile.

Radikalizmi i myslimanëve evropianë tani është një pikë qendrore e hulumtimit dhe debatit politik mbi terrorizmin bashkëkohor të Al Kaidës të ndikuar në Evropë. Janë bërë përpjekje të konsiderueshme kërkimore për të kuptuar këtë model të ri, që shfaqet në dhunën e radikalizuar, dhe ky përmbledhje shqyrton dhe sintetizon këtë literaturë kërkimore.

Studiuesit flasin për një ngjarje “katalizator”, që përshkruhet si një “hapje drejt njohjes” e cila e bën një person më të pranueshëm, për mundësinë e ideve të reja dhe pikëpamjeve botërore.

Ngjarje tronditëse ose kriza personale e çojnë individin të vlerësojë vërtetësinë e besimeve të mëparshme, i bën ata të rivlerësojnë tërë jetën e tyre dhe të bëhen të hapur për një ndryshim rrënjësor të vlerave dhe sjelljes.

Ngjarja “katalizator” mund të marrë forma të shumta: ekonomike, sociale, politike dhe personale. Për më tepër, ekziston një listë e gjatë e shkaktuesve (të vërtetë ose të perceptuar), të cilët mund të fillojnë lëvizjen progresive drejt radikalizmit apo ekstremizmit të dhunshëm.

Me pak fjalë, nuk është e vështirë të gjesh individë, që privohen nga diçka për të cilën ata ndihen të drejtë në përfshirjen e tyre, në sjellje ekstremiste.

Studiues të tjerë flasim për “faktorë shtytës”, që ndikojnë në radikalizmin e një individi dhe përfshirjen më pas në akte ekstremiste te dhunshme.

• Këto përfshijnë faktorë socio-ekonomikë dhe kulturorë si: shtypja, korrupsioni, papunësia, pabarazi, diskriminimi, një histori armiqësie midis grupeve të identitetit, pakënaqësi ose zhgënjim nga protesta kryesore politike apo shoqërore, metodë për të prodhuar ndryshime politike ose ndërhyrjen nga shtetet e tjera.
• Faktor individualë: aventurë; përkatësi; pranim; identitet; status; joshje materiale; shtrëngim; identifikim me vuajtjet e viktimave myslimane në nivel global; përvoja të viktimizimit personal; fitimi i shpërblimeve nga anëtarësia e grupit / lëvizjes të tilla, si statusi, respekti dhe autoriteti mbi anëtarët e tjerë ose shpërblime të pritura në jetën e përtejme.
• Mund te jenë faktorët aftësues, që lidhen me praninë e njerëzve, ideve, burimeve dhe hapësirave, që inkurajojnë zhvillimin e radikalizmit, që të ndodhë të tilla si: prania e mentorëve “radikalë” (udhëheqësit fetarë, individë nga rrjetet sociale, etj); qasje në komunitetet “radikale” në internet, rrjete sociale apo shoqata të dhunshme-ekstremiste; mungesë e përkrahjes familjare; prania e njerëzve të cenueshëm (si rinia ose kriminelët), njohja dhe përdorimi i armëve; të kesh një “cenueshmëri emocionale” (ndjenja zemërimi, tjetërsimi ose mosmarrëveshje); bindja se dhuna kundër shtetit dhe simboleve të saj mund të jetë i justifikuar moralisht (dhe kjo bindje mund të “rregullohet mirë” nga një figurë fetare).

Pavarësisht faktorëve të ndryshëm, studiuesit kanë identifikuar faktin, se radikalizmi islamik dhe terrorizmi burojnë nga një popullsi shumë heterogjene, që ndryshon dukshëm në aspektin e arsimit, prejardhjes familjare, statusit socio-ekonomik dhe të ardhurave.

Përsa i përket aspektit psikologjik të individëve, që kryejnë akte terroriste ekzistojnë disa rryma mendimi. Disa studime raportojnë, se terroristët kanë personalitete anormale dhe karakteristika specifike të cilat mund të identifikohen lehtësisht, si një marrëdhënie e paqëndrueshme me identitetin e tyre dhe emocioneve, që sjellin sjellje agresive, vetëvlerësim i ulët, ndjesi inferioriteti, mungesë empatie dhe vetmi, narcisizëm, paranojë dhe një interes për pushtet.

Një grup tjetër studiuesish mendojnë, se terroristët janë njerëz normalë, të mirëedukuar të cilët mbrojnë një ideologji të caktuar dhe motivohen, për të qenë pjesë e një grupi terrorist duke përfituar ndjesi vetërealizimi, pushteti dhe vetëpërmbushjeje, të cilat nuk do mund t’i arrinin ndryshe në kontekstin në të cilin jetojnë. Mënyra e tyre e të menduarit dhe të arsyetuarit është e ngurtë dhe e thjeshtëzuar.

Ata e shohin botën të polarizuar midis të drejtës dhe të gabuarës, të mirëve dhe të këqijve, të pasurve shfrytëzues dhe të varfërve të shfrytëzuar.

Shpesh terroristët etiketohen si persona me çrregullime mendore, psikopatë apo sociopatë. Në fakt ky etiketim nuk është aspak i saktë. Edhe pse terroristët mund të duken deluzivë apo irracionalë duke i parë nga jashtë, në fakt ata veprojnë në mënyrë racionale bazuar në sistemin e tyre të besimit dhe vlerave. Për më tepër një individ me një çrregullim mendor nuk do mund të funksiononte në mënyrë të organizuar, duke ndjekur plane të përpikta në nivel grupi.

Konformizmi, presioni i grupit, solidariteti dhe dinamikat psikologjike të sjelljes në grup ndihmojnë terroristët të qëndrojnë pjesë e grupit.

Ata e njehsojnë identitetin e tyre me atë të grupit duke krijuar një lloj të menduari dhe të vepruari bazuar në rregulla dhe norma strikte, që kërkojnë bindjen absolute me vendimet e grupit.

Supozohet, se një nga mënyrat e rekrutimit të personave në grupe terroriste është përmes “shpëlarjes së trurit”, një teknikë e fuqishme manipulimi, që mbingarkon mendjen e viktimës. Edhe pse disa sugjerojnë, se grupet terroriste tentojnë të manipulojnë individët përmes ideologjisë së tyre, të dhënat tregojnë se një proces i tillë i mirëmenduar si “shpëlarja e trurit” nuk është i nevojshëm sepse personat, që shndërrohen në terroristë janë edukuar me atë ideologji përmes shkollës, medias, familjes apo rrethit social.

Interneti, në veçanti media sociale, po përdoret si një kanal për të promovuar, për të ngjallur interesin fillestar, për të krijuar mënyra të tjera komunikimi dhe angazhuar individë drejt radikalizmit apo ekstremizmit te dhunshëm.

Interneti krijon mundësinë e përhapjes së informacionit tek një grup i madh njerëzish pavarësisht gjeografisë dhe pa shumë mundim.

Një tjetër përdorim mund të jetë indentifikimi i personave, që do të kontaktohen bazuar në vlerësimin e ndjeshmërisë së tyre përmes profileve të tyre në rrjetet sociale. Shpesh promovimi në rrjetet sociale glorifikon dhunën, duke tërhequr dhe ndikuar në shumë njerëz, përfshirë këtu edhe fëmijë.

Në përgjithësi, letërsia empirike konkludon, se vetëm kushtet socio-ekonomike nuk krijojnë mbështetje për ekstremizmin e dhunshëm dhe gatishmërinë për t’u bashkuar me grupet ekstremiste. Çështjet e religjionit dhe shkrimit islam shpesh fajësohen, për fenomenin e ISIS-it.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë provë për marrëdhëniet midis fesë dhe mbështetjes për ekstremizmin e dhunshëm ose për idenë e xhihadizmit militant midis myslimanëve.

Për shembull, studimet në Pakistan tregojnë, se besimi fetar nuk parashikon mbështetje për xhihadin e militarizuar, dhe se mbështetja për “militantizmin fetar nuk është produkt i përkushtimit fetar, por (ashtu si çdo fenomen tjetër i grupit shoqëror) qëndron kryesisht në përcaktimin e doktrinës të miratuar nga udhëheqësit dhe grupet.

Terrorizmi në Lindjen e Mesme bazohet më shumë se vetëm tek feja. Ai bazohet në ngjarjet historike dhe kulturore të ditës në botën islamike, ku përfshihen konfliktet politike dhe raciale brenda dhe ndërmjet vendeve, si dhe marrëdhënia historike me vendet e perëndimit.

Terrorizmi ndërkombëtar ose terrorizmi global më së shumti në ditët e sotme është i lidhur me fondamentalistët radikalë islamikë, që bëjnë thirrje për Xhihad.

Por historia ka treguar se ekstremizmi i dhunshëm është zhvilluar përgjatë kohërave në vende, kultura dhe besime të ndryshme.

Nuk mund të nënvlerësohet fakti se tani kemi të bëjmë me një formë të veçantë të terrorizmit; përkundrazi, kjo çështje ka një rëndësi shumë të rëndësishme për hulumtimin psikologjik dhe analizë faktorësh dhe shkaqesh, në një nivel individual dhe shoqëror.

Shkaqet e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm janë sa të shumëllojshme aq dhe të shumta dhe nuk ka asnjë teori të vetme, që mund të integrojë të gjitha shkaqet e tyre.

Pavarësisht studimeve të shumta me individë të radikalizuar, që më pas janë përfshirë në ekstremizëm të dhunshëm, rrymave te ndryshme të mendimit mbi këtë problematikë apo punës së vazhdueshme të organizmave të ndryshëm në luftën kundër tyre, radikalizmi, ekstremizmi i dhunshëm apo terrorizmi do vazhdojë të jetë një sfidë jetësore për të ardhmen në rrafsh global.


Shtuar 23.06.2020 08:05