Dako nuk është i pari! Cilët janë kryebashkiakët socialistë që kanë përfunduar pas hekurave

Ditën e sotme me urdhër të SPAK u arrestua ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, me akuzën për shpërdorim detyre.

Pallati “Tod Trungu” në qendër të Durrësit, është ndërtesa që u bë shkak për arrestimin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë të bashkisë.

Prokuroria e Posaçme gjeti shkelje në lejen e ndërtimit të dhënë 11 vite më parë gjatë drejtimit të bashkisë nga Vangjush Dako. Ai dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të drejtorisë së Urbanistikës akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Megjithatë, ai nuk është i pari nga krybashkiakët socialistë (në detyrë ose të larguar”, që përfundon në pranga.

Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, u arrestua në korrik të vitit 2021 me urdhër të SPAK, me akuzën për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me një tender të Bashkisë së Lushnjes.

Në qershor të vitit 2022, e kishte radhën bashkia e Vorës. Ish-kryetari Agim Kajmaku, i cili u arrestua në Itali për trafik të lëndëve narkotike.

Ai kishte fshehur një dënim në Greqi për falsifikim parash në formularin e dekriminalizimit, gjë që çoi edhe në shkarkimin e tij nga drejtimi i bashkisë së Vorës. Pasi u zgjodh në krye të bashkisë më 30 qershor 2019 ai u denoncua nga PD për fshehjen e dënimit. Kjo akuzë u vërtetua nga prokuroria e Tiranës e cila mori informacione nga autoritetet greke.

Ndërkohë, në mars të këtij viti ishte ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ai që përfundoi pas hekurave. Ai u arrestua bashkë me 7 persona të tjerë për abuzimin me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro.