Dita e “Ujit të Bekuar”, të rinjtë sfidojnë temperaturat duke u hedhur në Osum

Dita e 6 Janarit,që simbolizon ditën e shenjtë të Ujit të Bekuar,ku çdo vit besimtarët e krishterë hidhen në lumë për të kapur kryqin e shenjtë.

6 Janari, e kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht,  ose e njohur në popull si dita e Ujit të Bekuar, për besimtarët beratas është një prej të  kremteve më të mëdha të Kishës,  nëpërmjet të cilës ata përkujtojnë pagëzimin e zotit të tyre Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan. Besimtarët në qytetin e Beratit si çdo vit këtë ditë e festojnë në ujërat e lumit Osum.

Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe  sot filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare,  At Johan Qako, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e këmbanave të Kishës, i’u drejtua lumit Osum, për të hedhur kryqin simbol të kësaj feste.

të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit,u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur hedhjen e kryqit.Kryqi u kap nga 26-vjeçari Pirenc Zharra, banues në lagjen “Goricë” në Berat.

Si çdo vit,për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 150 mijë lekë (të vjetra).Më pas,ai shkon me kryqin në dorë në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë Mangalem e Kala,banorët e të cilave “dorovisin” kryqin e bekuar që mban në dorë i riu. I ri Pirenc Zharra shprehet se, ndihet i lumtur pasi për të është hera e parë që kap kryqin.

Gjithashtu 6 janari është festuar në Sarandë dhe në Fier. Në Sarandë kryqi është kapur nga 42 vjeçari, Luka Todhëri i cili shprehet me fat që arriti ta kapë.

“Është hera e shumtë që hidhem për kryqin dhe këtë radhë falënderoj zotin që me bekoi me e marrë”, ka thënë ai.


Shtuar 6.01.2022 10:59