Masat shtesë ndaj Serbisë, reagon Thaçi: Mashtrim patriotik dhe rrezikim i raporteve me SHBA-të e BE-në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas vendimit të kryeministrit në ikje, Albin Kurtit për masat e “reciprocitetit” ndaj Serbisë.

Presidenti ka thënë se Kurti po i vazhdon përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, shkruan lajmi.net. “Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme.”

“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada”, ka shkruar i pari i shtetit.

Shkrimi i plotë:

Në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme. Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada.

Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës. HTH


Shtuar 31.05.2020 14:20