GJKKO dënon me burgim të përjetshëm Redjan Rrajën

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK-ut duke dënuar me burg përjetë Redjan Rrajën me akuzën se ka qenë një nga ekzekutorët e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 1 nëntor të vitit 2019. Zbërthimi i dy telefonave të Redjan Rrajës ishte vendimtar.

Sipas akuzës, nipin e deputetit të PS-së e implikon AND-ja e gjetur në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij, të gjetura në makinën e autorëve, por edhe elementët biologjikë në rroba, kapele e një palë doreza ngjyre te zezë.

Për prokurorinë, zbërthimi i dy telefonave dhe transkriptimi i komunikimeve me platformën SKY EÇ, janë të tjera provat që implikojnë të akuzuarin në atentatin e ndodhur tek Ura e Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës.

Nga transkriptimi i komunikimeve mes anëtarëve të grupit, janë evidentuar terma si “bidon”, “benzinë”, “autostradë”,  “benz”, “Arjani” etj, që korrespondojnë me veprimet, planin dhe lëvizjet e autorëve”.


Shtuar 25.07.2023 17:53