Tajlandezja lind fëmijën gjatë fluturimit

Një grua nga Tajlanda e ka lindur një djalë gjatë fluturimit me aeroplan. Për këtë arsye, pilotët u detyruan të bënin ulje të detyrueshme.

Gruaja kishte filluar t’i ndiente dhembjet e lindjes gjatë fluturimit dhe e lindi foshnjën rreth orës 3 të mëngjesit me ndihmën e pesë anëtarëve të ekuipazhit dhe një mjeku që ndodhej ndër pasagjerët.

Aeroplani i kompanisë “Qatar Airways”, i cili ishte nisur nga Doha e Katarit drejt kryeqytetit tajlandez, Bangkok, u detyrua të bënte ulje emergjente në Kalkutë të Indisë.

Gruaja dhe foshnja më pas u dërguan në një spital të këtij qyteti dhe raportohet se ndodhen në gjendje të mirë, shkruan Independent.

Kjo nuk është hera e parë që një grua lind gjatë fluturimit me aeroplan. Në korrik të vitit 2019, një grua kishte lindur vajzë gjatë fluturimit nga Doha drejt Bejrutit.

Në shkurt të vitit 2019, një fëmijë ishte lindur gjatë fluturimit të një aeroplani nga Porto- Riko drejt Floridës.


Shtuar 4.02.2020 14:06