Sulmohet gazetari Valon Syla në Kosovë

Valon Syla, drejtor i portalit Gazeta Metro në Prishtinë është sulmuar të martën në mbrëmje nga disa persona të panjohur. Zoti Syla i cili është trajtuar për lëndime në kokë në spitalin e Prishtinës, tha se u sulmua fizikisht ndërsa po kthehej në shtëpi nga një debat në televizionin T7.

Policia e cila filloi hetimet nuk ka bërë ndonjë koment për rrethanat apo motivet e sulmit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e cilësoi sulmin të “papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë”.

Asociacioni u bëri thirrje institucioneve të ndriçojnë rastin dhe të vënë sulmuesit para drejtësisë.

Sulmi u dënua nga punonjës mediesh por edhe përfaqësues politikë.


Shtuar 12.04.2023 10:56