Talibanët nisin fushatën për ndalimin e prodhimit të opiumit

Udhëheqësit talibanë në Afganistan kanë nisur fushatën për ndalimin e kultivimit të lulëkuqes, me synim që të zhdukin prodhimin masiv të opiumit dhe heroinës.

Fermerët kanë thënë se me këtë vendim nuk do të kenë më të ardhura financiare, teksa varfëria në Afganistan po thellohet.

Talibanët, që morën pushtetin gushtin e kaluar, në fillim të prillit njoftuan se do të ndalojnë kultivimin e lulëkuqes.

Ata që e shkelin këtë ndalesë “do të arrestohen dhe do të gjykohen sipas Ligjit të Sheriatit”, ka thënë për Associated Press, ministri taliban për anti-drogë, Mullah Abdul Haq Akhund.

Afganistani është prodhuesi më i madh në botë i opiumit dhe po ashtu një burim i madh për heroinën që transportohet në Evropë dhe Azi. Prodhimi i këtyre lëndëve narkotike është rritur në 20 vjetët e fundit pavarësisht se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë miliarda dollarë për përpjekjet për të ndalur kultivimin e lulëkuqes.

Megjithatë, ndalesa e talibanëve pritet të godasë miliona fermerë të varfër dhe punëtorë të krahut të cilët varen financiarisht nga kultivimi i kësaj bime.

Ndalesa për kultivimin e lulëkuqes vjen në kohën kur ekonomia e Afganistanit ka kolapsuar, teksa shteti u shkëput nga ndihma ndërkombëtare pasi talibanët rimorën pushtetin./REL