10 të vrarë, kush është Hulk Dedja, i biri i ish të fortit të Burrelit: Në 2010 tentoi të marrë hakun e të atit, historia e gjakmarrjes mes fiseve në Burrel

Policia njoftoi sot se ka shpallur në kërkim 29-vjeçarin Hulk Dedja, të riun me precedent të theksuar kriminal, i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Dedja, dyshohet se në një lokal në qytetin e Burrelit, kërcënoi dikë dhe më pas u largua menjëherë nga ambientet e biznesit.

Gjatë kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi 12 targa automjetesh (2 prej të cilave me mbishkrimin “Policia”, 4 targa të huaja dhe 6 targa shqiptare), një fenelinë, një rrip multifunksional si ata të policisë dhe 1 krëhër kallashnikovi.

Po kush është Hulk Dedja?

Hulk Dedja, i biri i Halit Dedjas, i cili u ekzekutua në kryeqytet në dhjetor të 2010-ës. I riu dyshohet se në shenjë hakmarrje për vrasjen e të atit ka tentuar të vrasë dy pjesëtarë të fisit Kolaj nga Burreli.

18-vjeçari në 5 maj të vitit 2011, pak muaj pas vrasjes së babait të tij, tentoi të ekzekutojë për hakmarrje Ismet Kolën dhe nipin e këtij të fundit, Bashkim Dervishi. Dajë e nip mbetën të plagosur, ndërsa Hulku mundi të largohej duke i shpëtuar drejtësisë për më tepër se një vit.

Ngjarja për të cilën akuzohet Dedja ka ndodhur në vendin e quajtur “Lagjja e Re”, në qendër të Burrelit. Dyshohet se mesditën e 5 majit 2011, Hulk Dedja ka qëlluar në drejtim të makinës ku udhëtonin Ismet Kola dhe nipi i tij Bashkim Dervishi.

Për pasojë Kola u plagos me dy plumba në bark, ndërsa Dervishi në shpatullën e djathtë. Mes fiseve Kolaj dhe Hulku ekziston një histori e gjatë hasmërie. Kolajt dyshohen të kenë ekzekutuar tre djem të familjes Dedja dhe babanë e tyre.

Nga ana e Kolajve është vrarë Haki Kola, babai i Ismet Kolës dhe dy vëllezërit e tij, Fiqiri e Medi Kola. Këta janë vrarë nga Halit Canameti, i cili gjithashtu është vrarë vite më vonë në pabesi në shtëpinë e një miku të tij.

Nga ana tjetër, Kolajt i kanë vrarë dy njerëz të afërt Canametit, në fisin Xhetani.

Viktima më e fundit e hakmarrjes ka qenë babai i Hulkut, Haliti, i cili në Tiranë njihej si Donald Dedja.

Ai u ekzekutua me armë zjarri më datën 16 dhjetor 2010, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë ish-uzinës “Enver” në Tiranë.

Dedja, në vitin 1997 punonte si oficer policie për hetimin e krimeve, por në atë kohë, i vranë vëllain. Pas disa vitesh atij i vrasin vëllain tjetër dhe babanë.


Shtuar 10.05.2023 11:17