Sot mbahet gjyqi ndaj Fredi Belerit, Dendias bën paralajmërimin e fundit para skadimit të “ultimatumit”

Ashtu siç kishte paralajmëruar, ministri i Jashtëm grek Nikos Denidas ka deklaruar se takimin me kolegët e Ballkanit Perëndimor në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së do ta shfrytëzojë për të ngritur si problematikë ndalimin e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri.

Në Bruksel Dendias pritet të takohet me homologen shqiptare Olta Xhaçka, me të cilën paralajmëron një bisedë interesante pas zhvillimeve të fundit.

“Sot do të diskutojmë me kolegët në Këshill për çështjen e Ballkanit Perëndimor. Do të shfrytëzoj rastin për të ngritur qartë çështjen e ndalimit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, z. Beleris. Dhe prej andej, kam ndërmend të takohem më pas me homologen time shqiptare. Mendoj se do të jetë një bisedë shumë interesante”, tha Dendias.

Më 17 maj, Dendias deklaroi se në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së do të  ngrejë çështjen e ndalimit të kryebashkiakut të Himarës.

Ai tha se Beleri duhet të lirohet dhe se nuk e kupton mbajtjen e tij në paraburgim.

Ndërkohë, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës pritet të dalë sot para Gjykatës. Seanca pritet të mbahet në orën 13:00, teksa gjyqtare është caktuar Atalanta Zeqiri.

Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua  më 12 maj, në ambientet e jashtme të lokalit të tij, nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Ai u la në burg nga Gjykata e Vlorës, e cila më pas ia kaloi çështjen SPAK-ut.

Arrestimi i Belerit ka sjellë shumë reagime, me palën greke, e cila shpesh herë ka bërë thirrje për lirimin e tij, përndryshe Greqia do të ngrejë pengesa për perspektivat e saj të pranimit në BE dhe të bllokojë aksesin në mjetet e financimit evropian.

/Albeu.com


Shtuar 22.05.2023 11:57