Irani, një ditë pas:Ja çfarë mund të ndodhë nëse bien Ajatollahët

Nga Bahram Farrokhi “Worldcrunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Edhe pse u shtypën brutalisht, 3 muajt e protestave të mëdha kundër regjimit klerik të Iranit vitin e kaluar, u rritën shpresat tek miliona iranianë për t’i dhënë fund sundimit mbytës 40-vjeçar të Republikës Islamike. Po ashtu, ato rritën edhe frikën nga kaosi dhe spekulimet për atë që mund ta pasonte regjimin aktual. Le të shohim se si mund të duken disa nga këta skenarë.

  1. Separatizmi dhe copëtimi, me bashkimin e pjesëve të Iranit me shtetet fqinje

Rajonet e banuara nga turkmenët në Iranin Verilindor, mund të bashkohen me Turkmenistanin. Provinca jugperëndimore Kuzestan e banuar nga arabët mund t’i bashkohet Irakut. Ndërsa provincat e Azerbajxhanit Lindor dhe Perëndimor, ku jetojmë shumica e iranianëve me origjinë azere do të bashkohen me Republikën e Azerbajxhanit në veri.

Këta skenarë nuk do të ndodhnin pa luftime të ashpra, dhe mund të ketë viktima të panumërta dhe efekte të paparashikueshme në të gjitha vendet e përfshira. Vetë Iraku mund të shpërbëhej nëse do të hynte për herë të dytë në luftë kundër Iranit.

  1. Separatizëm që çon në formimin e shteteve të reja

Provinca e trazuar e Sistan-Baluçestanit, mund të kërkojë të formojë një shtet, Baluçinë, të vendosur midis Iranit, Pakistanit dhe Afganistanit. Rajonet kurde mund të luftojnë për të krijuar një shtet kurd me kurdët e Irakut, Turqisë dhe Sirisë, por sërish, jo pa luftë dhe vrasje në shkallë të gjerë në të gjitha këto shtete, të cilat gjithashtu do të humbnin territore.

Asnjë shtet rajonal nuk mund ta pranonte një skenar të tillë. Ndjenjat nacionaliste janë të rrënjosura shumë fort në mesin e kurdëve. Këto janë mundësi teorike dhe shumë të kushtueshëm që do ta linin rajonin, dhe jo vetëm Iranin, në gërmadha dhe do të provokonin një zhvendosje të ngjashme njerëzish me ato që u panë pas Luftës së Parë Botërore ose në luftën civile të Sirisë. Ndjenjat nacionaliste janë më të rrënjosura në mesin e kurdëve. Por

siç u pa në referendumin kurd të Irakut të 25 shtatorit 2017, asnjë fuqi rajonale, apo edhe e huaj, nuk e dëshiron një shtet të pavarur kurd.

  1. Një demokracia federale e stilit perëndimor

Ky është vizioni i një numri kundërshtarësh iranianë ndaj Republikës Islamike, pavarësisht nga disa pengesa të dukshme. Së pari, duhet që demokracia të hedhë rrënjë në Iran, një vend me histori të gjatë, madje edhe në kohët moderne, të qeverisjes centralizuese dhe tejet autoritare.

Së dyti, nuk ka një përcaktim të saktë e të brendshëm të rajoneve sa i përket përkatësisë etnike: kurdët, persët, baluçët dhe azerët jetojnë të shpërndarë në gjithë vendin, edhe pse disa grupe të veçanta priren të përqendrohen në pjesë të caktuara.

Disa qarqe të provincës së Azerbajxhanit Perëndimor, kanë qenë shtëpia e persëve, kurdëve dhe armenëve – që jetojnë së bashku në paqe – për disa qindra vjet. Në disa pjesë të provincës Mazandaran pranë Detit Kaspik, popullsia është një përzierje e kurdëve dhe turkmenëve.

Lëvizjet e grupime të ndara etnike, do të provokonin dhunë dhe do të shkaktonin një destabilitet mbarëkombëtar afatgjatë. Edhe tani disa nga vendimet e Republikës Islamike për përcaktimet krahinore kanë shkaktuar jo pak pakënaqësi.

  1. Një demokraci parlamentare ose monarki kushtetuese

Një demokraci parlamentare ose monarki kushtetuese, me sundim të fortë parlamentar dhe një rol të dobët, ose simbolik për kreun e shtetit. Kjo mund të përfshijë dobësimin e autoritetit të qeverisë qendrore dhe kompetenca të zgjeruara për provincat në fushën kulturore, gjuhësore, administrative dhe ekonomike, në përputhje me nevojat rajonale.

Gjuha persiane do të mbetej gjuha kombëtare që do të përdoret në arsim, biznes dhe burokraci, për t’i siguruar popullatës të drejta të barabarta për pjesëmarrje në punët publike dhe si një element unifikues. Ndërkohë aktiviteti legjislativ, mund të ndahet ndërmjet një parlamenti kombëtar dhe asambleve provinciale, gjithmonë brenda kufijve të ligjeve përkatëse dhe kushtetutës.

Kjo do të ishte një ndarje plotësuese për të ndihmuar në zvogëlimin e hendekut zhvillimor midis qyteteve të mëdha dhe provincave, si dhe për të frenuar mbi bcentralizimin e pushteteve dhe burimeve. Një Iran demokratik, ka të ngjarë të ri-organizojë politikën e tij të jashtme drejt një bashkëpunimi më të madh me shtetet arabe të Gjirit Persik, për t’i shërbyer më mirë ekonomisë, sigurisë dhe mjedisit të tij.

  1. Një shtet autoritar i centralizues dhe me tipare militariste

Ky regjim shteti do të ruante integritetin territorial të Iranit, ndërsa do të godiste unitetin e popullit të tij. Garda Revolucionare është një kandidate e natyrshme në atë skenar. Dhe në fakt, ajo po e shtyn tashmë vendin në këtë drejtim.

Këta skenarë janë kryesisht më shumë problematikë sesa premtues. Dhe nuk ndihmojnë shumë në pozicionin strategjik të Iranit, pasuria burimet e pafundme dhe afërsia me shtetet kërcënuese si Rusia. Në Perëndim, ekziston një shqetësim i madh për stabilitetin në këtë pjesë të botës, të cilën Republika Islamike e ka shfrytëzuar për më shumë se 40 vjet. Shumica e iranianëve mund të preferojnë opsionin e katërt, të jetuarit në një vend të lirë, ndoshta me fuqi të transferuara. Por a është kjo ajo që duan edhe fuqitë e mëdha ? /albeu.com


Shtuar 23.05.2023 14:32