Korrupsion dhe shpërdorim detyre, AMP arreston 2 policë në Vlorë dhe 1 në Fier

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, AMP, ka vënë në pranga tre oficerë policie dhe ka nisur hetimin për dy të tjerë pasi akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Sipas një njoftimi mësohet se nga agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) është bërë arrestimi i në flagrancë i Oficerëve të policisë Inspektor Eldo Shyti dhe Inspektor Granit Nuraj me detyrë Trup Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Vlorë.

Arrestimi i tyre u krye pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas hollandezë, të cilët në datën 15.09.2023, rreth orës 18:30, janë ndaluar në qytetin e Vlorës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Oficerët e policisë, duke shpërdoruar detyrën, si dhe duke falsifikuar dy procesverbale të shkeljes administrative, dyshohet se kanë përfituar një shumë prej 30.000 lekësh me qëllim moskryerjen e detyrës funksionale, me pretekstin se do të kryenin pagesën e gjobës dhe se i kanë favorizuar duke mos u pezulluar Lejen e Drejtimit.

Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka bërë ndalimin e Oficerit të policisë Klisman Çela me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban në DVP Fier, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shperdorim detyre”.

Ndalimi u krye pasi ai ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh duke mos i ndëshkuar ata me masë administrative./Albeu.com