Rama zbardh telefonatën me Zelenskyn: Do të doja të bëja më shumë për ju dhe Ukrainën (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka zbardhur një pjesë të telefonatës që ka patur me presidentin e Ukrains, Volodymyr Zelensky.

Rama shkruan në Facebook, se i ka shprehur presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar, ndërsa në video kryeministri dëgjohet teksa i thotë se do të dëshironte të bënte më shumë për të dhe ukrainasit.

“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës.

I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, shkruan Rama.

Kujtojmë se më herët, Zelensy përmes një postimi në Tëitter njosftoi se ka patur një bisedë telefonike me Ramën dhe falënderoi Shqipërinë për mbështetjen./albeu.com


Shtuar 5.03.2022 11:55