KNFSH zhvillon një aktivitet social dhe kulturor me fëmijët jetimë të zonës së tërmetit

Në kuadër të 10 vjetorit të Javës Botërore të Harmonisë Ndërfetare, Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë kanë organizuar sot, më 22 shkurt 2020, një aktivitet socio-kulturor me fëmijët jetimë të një prej zonave kryesore të prekura nga tërmeti i nëntorit 2019 në Shqipëri. Gjatë asaj periudhe mijëra njerëz u prekën ekonomikisht dhe psikologjikisht nga shkatërrimi, që solli tërmeti, ku ata më të prekurit ishin fëmijët jetimë të një prej zonave, e cila kishte nevojë jo vetëm për mbështetje ekonomike, por edhe sociale dhe psikologjike, siç është zona e rrethit të Kurbinit.

Në këtë drejtim, gratë dhe të rinjtë myslimanë dhe të krishterë morën iniciativën për të organizuar një aktivitet social dhe kulturor, ku përveç veprimtarisë festive, fëmijëve iu është shpërndarë dhe libra, dhurata, si dhe një drekë së bashku me drejtues dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri.

Ky është aktiviteti i parë në llojin e tij, ku përmes Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, i cili bashkë-kryesohet nga pesë komunitete të ndryshme fetare, të bëhen bashkë të rinj e të reja të të gjitha besimeve, aktivistë të KNFSH-së në një bashkëpunim të tillë ndërfetar, i cili do të vazhdojë të gjejë zbatim në aktivitete të tjera sociale dhe humanitare për fëmijët jetimë.


Shtuar 22.02.2020 22:48