Qeveria miraton kreditë për studentët, Kushi: Do të jenë pa kolateral dhe me dy këste

Këshilli i Ministrave miratoi sot kreditë për studentët. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se kredia do të jepet me dy këste.

Çdo student që ndjek studimet në një universitet ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore për të financuar studimet e tij, edhe tarifat edhe kostot e jetesës, duke përllogaritur kufirin e pagës minimale.

Ministrja tha se kredia do të jepet vetëm për një program studimi, pra studenti mund të aplikojë për kredi ose për bachelor ose për master.

Kushi tha se nga një vendim i tillë do të përfitojnë të gjithë studentët që nuk kanë mundësi për të ndjekur studimet dhe mund të aplikojnë për kreditë studentore.

“Ne ndër vite kemi ndërmarrë shumë vendime, dhe sot vijmë me kredinë studentore. Çdo student që ndjek studimet në një universitet ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore për të financuar studimet e tij, edhe tarifat edhe kostot e jetesës, duke përllogaritur kufirin e pagës minimale. Do të financohet vetëm një program studimi, pra mund të aplikojë ose për bachelor ose për master, dhe institucion përgjegjës do të jetë AKFAL. Kredia do të jetë pa kolateral, jepet me dy këste. Shlyerja, afatet do jenë të përcaktuara, për studentët e bachelor detyrimi do të fillojë re vite pas kontratës dhe për masterin, dy vite pas kontratës. Ata që ndjekin program 5 vjeçar, do të nisë pas 5 vitesh. Studentë do jenë ata që nuk kanë përfituar bursa apo përjashtim nga tarifa”, tha ajo.

/albeu.com/