Mos shpresoni tek Kina për të rivendosur paqen në Evropë

Nga Roman Rukomeda “Euractiv

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Më 21 prill, ambasadori i Kinës në Francë, Lu Shaye, deklaroi në një intervistë për kanalin televiziv francez LCI, se shteteve post-sovjetike u mungon një bazë e fortë për sovranitetin sipas ligjit ndërkombëtar. Një deklaratë e tillë u bë pas heshtjes nga Kina për agresionin rus kundër Ukrainës.

Ata që dyshuan që në fillim se Kina e kishte bekuar luftën e Putinit kundër Ukrainës dhe Evropës dhe tani vazhdojnë të jenë mbështetësit më të mëdhenj të Rusisë në këtë agresion, duhet të mendohen 2 herë pas deklaratës së Lu Shaye.

Por kur komentoi në lidhje me sovranitetin e vendeve post-sovjetike, ambasadori kinez në Francë harroi interpretimin e Ukrainës se Rusia nuk e përfundoi procedurën ligjore për t’u bërë pasardhësja ligjore e Bashkimit Sovjetik, gjë që do të legjitimonte praninë e Rusisë në OKB dhe Këshillin e Sigurisë.

Ndaj për Kievin prania e Moskës në këtë këshill nuk ka bazë ligjore. E njëjta gjë vlen edhe për privatizimin nga Rusia të të gjitha aseteve sovjetike në mbarë botën. Moska thjesht i përvetësoi ato pasuri. Për më tepër, vetë Rusia mbetet një nga këto shtete post-sovjetike, dhe kur ambasadori kinez dyshon në sovranitetin e shteteve post-sovjetike, ai po hedh dyshime edhe për fuqinë e Rusisë.

Deklarata e Lu Shaye, gjithnjë nëse nuk buron nga këndvështrimi i tij personal, gjë që për standardet e Pekinit është gati e pamundur, është një test kinez për Evropën dhe një mesazh për vendet perëndimore, nëse ato duan të kuptojnë realisht nëse është i mundur apo jo ndërmjetësimi kinez në konfliktin Rusi-Ukrainë.

Deklarata është gjithashtu një provë për të parë se sa shtete evropiane do të pretendojnë se nuk ka ndodhur asgjë, dhe sa të tjera do të reagonin. Kjo do ta ndihmojë Kinën të nxjerrë  përfundimet e saj në lidhje me situatën aktuale në Evropë dhe gatishmërinë e shteteve evropiane për të bërë biznes si zakonisht me Pekinin, pavarësisht rrezikut në rritje të luftës

në Tajvan.

Kina dëshiron që të shohë se sa thellë mund t’i përçajë aleatët evropianë, përfshirë NATO-n. Është një përpjekje e hapur për të përçarë partnerët e alencës perëndimore përpara betejës madhore. Një marifet i tillë është ndër më të preferuarit në manualin e lojërave ruse.

Përpara se të fillonte agresionin e saj të madh ushtarak kundër Ukrainës në shkurt 2022, Rusia e Putinit bëri gjithçka që ishte e mundur për të përhapur farat e dyshimit dhe pasigurisë në të gjitha shtetet evropiane.

Për pasojë, disa shtete të BE-së po e vëzhgonin në heshtje agresionin rus për 2-3 muajt e parë, duke qenë madje gati për negociata me agresorin. Nëse pozicioni evropian do të kishte qenë më i fortë që në fillim, mund të ishin shmangur tragjeditë në Bucha, Izyum dhe qytete të tjera të Ukrainës.

Sinjali që po i dërgon Kina Evropës, është se sferat e ndikimit janë mbi ligjin ndërkombëtar, madje edhe sot në shekullin XXI-të. Kjo qasje është absolutisht identike me ultimatumet ruse që po përpiqen të krijojnë Bashkimin Sovjetik nr.2 nëpërmjet pushtimit ushtarak të të gjitha shteteve ish-sovjetike.

Dëshira e disa shteteve evropiane për autonomi strategjike është e natyrshme dhe logjike. Ndaj të kesh burime për këtë është e nevojshme, veçanërisht në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kur nuk ke burime dhe aftësi të tilla për të marrë distancë nga i vetmi aleat natyror ushtarak i Evropës – Shtetet e Bashkuara – një qasje e tillë është ose një verbëri strategjike ose tradhti ndaj aleancës perëndimore.

Është e rëndësishme të kujtojmë se me ndihmën e aleatëve të saj në Bashkimin Evropian, NATO, Amerikën e Veriut dhe në mbarë botën, Ukraina është duke luftuar për vlerat e botës demokratike, për lirinë, sovranitetin, të drejtat dhe liritë e njeriut.

Është për të ardhur keq të vërehet se pas më shumë se një viti lufte në Ukrainë, disa nga politikanët kryesorë evropianë, përveç kryeministrit të Hungarisë Victor Orban, vazhdojnë që të mbajnë anën e regjimeve autokratike ruse dhe kineze.

Pekini ka nevojë që Bashkimi Evropian dhe Evropa të jenë pasive në lidhje me tensionet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe Pekini dëshiron pikërisht të njëjtën gjë në kontekstin e luftës në Ukrainë. Ai dëshiron që Evropa ta tradhtojë aleatin e saj kryesor ushtarak dhe të sigurisë, SHBA.

Ato vende evropiane që do të luajnë lojën e kinezëve, do të shkatërronin mbrojtjen e fundit absolute ushtarake të Evropës, dhe do të provokonin luftë në shumë vende të BE-së. Është kjo arsyeja së përse Kina nuk mund të jetë një paqeruajtëse në Ukrainë, pasi ajo tashmë është pjesë e luftës nga pala ruse. Paqja në Evropë nuk është një prioriteti i Kinës. Synimi i saj i vërtetë është të distancojë Evropën nga konflikti i ardhshëm me SHBA-në. /albeu.com

Shënim:Roman Rukomeda, është një analist politik ukrainas.


Shtuar 25.04.2023 09:56